LajmeSport

E bujshme nga Arabia Saudite/ Al Nassr në krizë financiare? Klubi i Ronaldos përballet me probleme të mëdha ekonomike, rrezikohet largimi i CR7

Sipas Tuttomercatoweb, duke iu referuar gazetës sportive saudite Arriyadiyah, një prej burimeve më të rëndësishme sportive në vend, Al Nassr po përballet me një rritje të madhe të borxheve, ndërsa shpenzimet e klubit kanë tejkaluar ndjeshëm të ardhurat.

Situata raportohet se ka ndikuar edhe te lojtarët, të cilët dyshohet se po përballen me vonesa në pagesa ose me rishikime të pagave. Një tjetër tregues i problemeve është edhe merkatoja e bllokuar e klubit. Marcelo Brozovic, një nga shtyllat e skuadrës, u largua këtë verë me parametra zero dhe ende nuk është zëvendësuar.

Al Nassr sqaron situatën

Klubi saudit ka reaguar duke tentuar të ulë zërat për krizë. Sipas Arriyadiyah, drejtuesit kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një proces ristrukturimi financiar, me një politikë më të kujdesshme dhe një shpërndarje ndryshe të buxhetit për sezonin e ri.

Megjithatë, sipas të njëjtave raportime, Al Nassr ende nuk ka paraqitur garancitë e nevojshme financiare pranë autoriteteve përkatëse, çka do ta pengonte klubin të bëjë angazhime të reja financiare për transferime apo kontrata të tjera.

A rrezikohet largimi i Cristiano Ronaldos?

Nëse situata nuk përmirësohet shpejt dhe kriza thellohet, nuk përjashtohet mundësia që Al Nassr të detyrohet të rishikojë disa nga kontratat e mëdha. Megjithatë, një largim i Cristiano Ronaldos duket shumë i komplikuar.

Problemi nuk është mosha e portugezit, pasi shumë klube do të ishin të gatshme ta afronin, por paga e tij kolosale, e cila raportohet të jetë rreth 200 milionë euro në vit.

Për më tepër, Ronaldo nuk shihet vetëm si një futbollist nga Arabia Saudite, por edhe si një figurë globale dhe ambasador i rëndësishëm i projektit sportiv të vendit, sidomos në prag të Kupës së Botës 2034. Një ndarje me të do të ishte një goditje e madhe për imazhin e klubit dhe futbollit saudit.

Përveç Ronaldos, te Al Nassr aktivizohen edhe emra të mëdhenj si Sadio Mane, Mohamed Simakan, Kingsley Coman, Inigo Martinez dhe Joao Felix. Në rast të një krize të zgjatur, mbetet për t’u parë nëse ndonjëri prej tyre mund të rikthehet në Evropë për një tjetër aventurë në futbollin elitar.

Related Articles

Back to top button
Close
Close