
Garda Revolucionare e Iranit ka thënë në një deklaratë të botuar nga Fars News se një bazë ajrore në Jordani që strehon forca amerikane u shënjestrua nga raketat balistike iraniane të martën.
Garda Revolucionare i bëri thirrje popullit jordanez që të çmontojë bazat amerikane në vendin e tyre.
“Ju e dini shumë mirë se jo vetëm që nuk kemi asnjë armiqësi me vendin tuaj, por ju duam edhe ju, popullin fisnik, që e kuptoni dhimbjen dhe shtypjen e popullit palestinez më shumë se çdo komb tjetër”, thuhet në deklaratën e IRCG.
Më herët Jordania deklaroi se ka kapur dhe rrëzuar katër raketa që hynë në hapësirën ajrore jordaneze nga territori iranian.
Ndërkaq Ministria e Brendshme e Bahreinit lëshoi një alarm, të tretin të martën para orës 7:30 të mëngjesit në Manama.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit tha të martën se sulmet e saj me raketa dhe dronë shkatërruan radarin e kontrollit ajror të Flotës së Pestë të Marinës Amerikane në Bahrein.
Gjithashtu tha se forcat e saj detare dhe hapësinore goditën një radar Patriot dhe një sistem radari për paralajmërim të hershëm C-RAM në Bahrein.
IRGC shtoi se rezervuarët e magazinimit të karburantit dhe qendra e kontrollit për anijet pa pilot u shkatërruan gjithashtu, dhe se operacionet hakmarrëse janë duke vazhduar.
Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga Shtetet e Bashkuara ose Bahreini ndaj deklaratës iraniane.
Ndërkohë Ambasada e SHBA-së në Abu Dhabi dhe Konsullata e Përgjithshme e SHBA-së në Dubai kanë anuluar takimet konsullore deri të mërkurën për shkak të situatës së sigurisë rajonale, tha ambasada në një njoftim sigurie.
Deklarata erdhi pasi Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se dy anije cisternë me flamur të Emirateve të Bashkuara Arabe u goditën nga raketa iraniane në Ngushticën e Hormuzit, duke vrarë një marinar.
(A2 Televizion)



