
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për rregulla më të forta për mbrojtjen e fëmijëve në internet, duke mbështetur vendosjen e një moshe minimale për përdorimin e rrjeteve sociale në të gjithë Bashkimin Evropian.
Gjatë një konference për media në Bruksel, Von der Leyen tha se propozimi më bindës është që fëmijët nën moshën 13-vjeçare të mos kenë qasje të lirë në rrjetet sociale, por t’i përdorin ato vetëm nën mbikëqyrjen e prindërve dhe për periudha të kufizuara.
“Ato nuk janë lodër”, deklaroi ajo, duke paralajmëruar se lejimi i kompanive të mëdha të teknologjisë të kenë qasje të pakufizuar te fëmijët mund të çojë në më shumë dëmtime të shëndetit mendor, varësi dhe probleme psikologjike.
Sipas të dhënave të paraqitura nga paneli i ekspertëve për sigurinë e fëmijëve në internet, të rinjtë kalojnë mesatarisht katër deri në gjashtë orë në ditë para ekraneve, ndërsa pothuajse 60 për qind e fëmijëve kanë përjetuar probleme emocionale ose psikologjike gjatë përdorimit të internetit.
Von der Leyen mbështeti gjithashtu përdorimin më të gjerë të teknologjive për verifikimin e moshës, duke theksuar se çështja nuk është nëse fëmijët duhet të përdorin ndonjëherë rrjetet sociale, por në çfarë moshe duhet t’u lejohet qasja.
Ajo vlerësoi se kompanitë teknologjike duhet të mbajnë përgjegjësi për sigurinë e platformave të tyre, duke theksuar se ato kanë “detyrim kujdesi” ndaj përdoruesve.
Raporti i panelit identifikon si problematike funksione të tilla si lëvizja e pafundme e përmbajtjes (infinite scrolling), riprodhimi automatik i videove (autoplay) dhe njoftimet e vazhdueshme, të cilat konsiderohen të papërshtatshme për fëmijët.
Profesori Jörg Fegert nga Universiteti i Ulmit në Gjermani rekomandoi harmonizimin e rregullave në nivel të Bashkimit Evropian, duke propozuar që qasja në platformat e quajtura “social media+” të ndalohet për fëmijët nën 13 vjeç.
Komisioni Evropian do t’i shqyrtojë rekomandimet e ekspertëve dhe pritet t’u paraqesë shteteve anëtare propozime ligjore pas përfundimit të verës.



