
Një 31-vjeçar nga Shkupi është arrestuar nën dyshimin se ka therur për vdekje babanë e tij pas një konflikti familjar që ndodhi mbrëmë, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme përcjell agjencia e lajmeve INA.
Sipas MPB-së, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:35 në shtëpinë e familjes në zonën e Bit Pazarit. Sipas informacioneve, 52-vjeçari me inicialet E.L., i cili ishte nën ndikimin e alkoolit, ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 54-vjeçare.
Pas sulmit, djali i tyre 31-vjeçar, me inicialet B. Gj., e ka goditur babanë disa herë me thikë, si pasojë e të cilave ai ka ndërruar jetë.
Rreth orës 23:00, zyrtarët policorë të SPB Shkup e kanë privuar nga liria të dyshuarin, ndërsa gruaja e lënduar është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naum Ohri” për t’iu ofruar ndihmë mjekësore.
Me urdhër të prokurorit publik, trupi i viktimës është dërguar për obduksion. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj të dyshuarit do të parashtrohet kallëzim përkatës penal.
Sipas informacioneve të para, ekipi i Ndihmës së Shpejtë ka ndërhyrë në vendngjarje, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka arritur t’ia shpëtojë jetën 52-vjeçarit.



