
Një këngë e kënduar nga futbollistët e Argjentinës në dhomat e zhveshjes ka shkaktuar reagime dhe polemika në mediat britanike, vetëm pak ditë përpara përballjes me Anglinë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Në refrenin e këngës dëgjohen vargjet: “Për Malvinet, për Diegon, për të fundit të Leos”, një referencë ndaj Ishujve Malvine (Falkland), Diego Maradonës dhe Lionel Messit.
E përditshmja britanike Daily Mirror shkroi se Argjentina “nuk humbi kohë për të shfaqur përçmimin ndaj Anglisë”, duke rikthyer në vëmendje çështjen e Ishujve Falkland, të cilët pretendohen nga Argjentina, por administrohen nga Mbretëria e Bashkuar.
Konflikti ushtarak mes dy vendeve në vitin 1982 la pas qindra të vrarë dhe mbetet ende një plagë e hapur në marrëdhëniet mes tyre. Të mërkurën, Argjentina dhe Anglia do të përballen në një ndeshje me peshë të madhe emocionale, si në Buenos Aires ashtu edhe në Londër.
Në tekstin e këngës, futbollistët argjentinas festojnë triumfin e tretë botëror me Lionel Messin dhe shprehin dëshirën për të fituar edhe një tjetër trofe, duke përmendur edhe “hakmarrjen” për Kupën e Botës që, sipas tyre, iu mohua Diego Maradonës.
Sipas mediave britanike, kjo sfidë është shndërruar në një përballje që shkon përtej futbollit. Daily Mirror raportoi gjithashtu se, pas fitores ndaj Egjiptit, lojtarët e Argjentinës iu bashkuan tifozëve duke kënduar edhe kore të tjera me tone anti-angleze, të cilat qarkullojnë prej dekadash në mesin e tifozërisë argjentinase.




