
Eliminimi i Norvegjisë nga Anglia në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026 vazhdon të shkaktojë polemika, ndërsa reagimet nuk kanë munguar as në rrjetet sociale.
Mes tyre spikati edhe tifozja e njohur e Manchester United, Therese Gudmundsen, e cila kritikoi me ironi arbitrimin pas humbjes 2-1 të kombëtares së saj ndaj “Tre Luanëve”.
Norvegjezja publikoi një mesazh në Instagram ku fillimisht përgëzoi ekipin për ecurinë në turne, por në fund lëshoi një “thumb” ndaj gjyqtarit francez Clément Turpin.
“Përralla jonë në Kupën e Botës mori fund, por kujtimet do të zgjasin përgjithmonë. Askush nuk mendonte se do të arrinim deri këtu, ndaj jam shumë krenare për ekipin. Urime Anglisë… dhe arbitrit.”
Reagimi i Gudmundsen lidhet me golin e barazimit të Jude Bellingham në fund të pjesës së parë, për të cilin norvegjezët pretenduan se topi kishte prekur kamerën ajrore (“spider-cam”) gjatë aksionit dhe loja duhej të ishte ndërprerë.
Megjithatë, FIFA sqaroi se teknologjia e topit inteligjent nuk regjistroi asnjë kontakt.
“Sensori i topit nuk tregoi asnjë sinjal që të provonte se topi kishte prekur kabllon ose kamerën ajrore, ndaj nuk kishte arsye për të ndërprerë lojën,” thuhej në deklaratën e FIFA-s.
Pakënaqësia ndaj arbitrimit u shpreh edhe nga trajneri i Norvegjisë, Ståle Solbakken, si dhe Alf-Inge Haaland, babai i Erling Haaland, i cili gjithashtu ironizoi arbitrat pas përfundimit të ndeshjes.
Takimi u shoqërua edhe me një tjetër episod të diskutueshëm në kohën shtesë, kur Anglisë iu anulua një penallti pas ndërhyrjes së VAR-it.
Therese Gudmundsen është një nga tifozet më të njohura të Manchester United në rrjetet sociale, ku numëron qindra mijëra ndjekës. Ajo njihet për koleksionin e fanellave retro të klubit anglez dhe për udhëtimet e shumta që ndan me ndjekësit e saj.



