
Emërimi i Paolo Maldinit si drejtor teknik i Federatës Italiane të Futbollit ka hapur menjëherë kapitullin më të rëndësishëm për “Azzurrët”: zgjedhjen e trajnerit të ri të kombëtares.
Maldini, i cili do të punojë së bashku me Leonardon në strukturën e re drejtuese të FIGC-së, pritet të ketë një rol kyç në përzgjedhjen e teknikut që do të udhëheqë Italinë në ciklin e ardhshëm.
Sipas mediave italiane, në garë janë pesë emra, mes ëndrrave të mëdha dhe alternativave më realiste.
Guardiola dhe Ancelotti, ëndrrat e mëdha
Në krye të listës qëndrojnë dy nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit: Pep Guardiola dhe Carlo Ancelotti.
Guardiola do të ishte një emër që do t’i rikthente entuziazmin futbollit italian, ndërsa Ancelotti ka një lidhje të fortë me Maldinin, pasi të dy kanë ndarë suksese të mëdha te Milani si lojtarë dhe më pas si trajner e drejtues.
Megjithatë, realizimi i këtyre skenarëve duket i vështirë. Përveç kostos së lartë financiare, Ancelotti është ende nën kontratë me Federatën Braziliane, edhe pse eliminimi i Brazilit në çerekfinale ka shtuar zërat për të ardhmen e tij.
Conte dhe Mancini, rikthim i mundshëm
Dy kandidatë të tjerë janë Antonio Conte dhe Roberto Mancini, të cilët kanë drejtuar më parë kombëtaren italiane.
Të dy janë aktualisht pa skuadër, çka do ta lehtësonte emërimin e tyre. Megjithatë, Mancini nuk konsiderohet zgjedhja e preferuar e Maldinit, ndërsa Conte mbetet një opsion i kushtueshëm për federatën.
Pioli, alternativa më realiste
Në listë është edhe Stefano Pioli, ish-trajneri i Milanit dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Maldinit gjatë fitimit të titullit kampion në Serie A.
Pas eksperiencave te Al-Nassr dhe Fiorentina, Pioli shihet si një kandidat që mund të rikthejë karrierën e tij përmes kombëtares. Ai konsiderohet një zgjedhje më e përballueshme financiarisht, por nuk ka të njëjtin ndikim mediatik si Guardiola apo Ancelotti.
Për këtë arsye, presidenti i FIGC-së, Giovanni Malagò, preferon një emër me më shumë peshë për të rikthyer entuziazmin te tifozët italianë.



