
Pasi sot LSDM-ja e akuzoi ish-kryeministrin Nikolla Gruevski se po i shpenzon miliardat në Budapest, ndërsa shteti po i shet banesat e tij në Vodno, ai reagoi përmes rrjetit social “Facebook”. Me një fotografi të tij me bluzë të bardhë dhe një status të gjatë, ai mohoi se banesat e konfiskuara janë në pronësi të tij.
“Edhe për të disatën herë jam i detyruar të mohoj se ato banesa nuk kanë qenë kurrë të miat dhe se e gjithë kjo është rezultat i një procesi gjyqësor kriminal dhe të motivuar politikisht, ku qëllimet dhe motivet ishin politike dhe personale, të nxitura nga frika dhe urrejtja e kriminelit dhe tradhtarit të interesave kombëtare maqedonase, Zoran Zaev”, shkruan ai në publikimin e tij në “Facebook”.
Ai gjithashtu hedh poshtë pretendimet dhe thotë se Prokuroria nuk ka dëshmuar se ai ka paguar për banesat, as se ato kanë qenë në pronësi të tij, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me to. Sa i përket Jordan Kamçevit, ai konsideron se ai është akuzuar padrejtësisht, ndërsa më vonë është shantazhuar dhe është vënë nën presion për të dhënë deklaratë kundër tij.
Në reagimin e tij, Gruevski përmendi edhe ish-kryeministrin Zoran Zaev, për të cilin pretendon se ka investuar para të përvetësuara në Dubai, Taxhikistan, Zvicër, Greqi dhe shtete të tjera nëpër botë, duke pushuar herë pas here në një jaht luksoz, pa i ndier pasojat e veprimeve që, sipas tij, ia ka bërë atij, Republikës së Maqedonisë dhe maqedonasve.



