
Legjenda e futbollit anglez, Alan Shearer, ka vlerësuar karrierën e jashtëzakonshme të Cristiano Ronaldos, por beson se sulmuesi portugez duhet të mendojë seriozisht për t’i dhënë fund aventurës së tij me kombëtaren.
Duke folur pas eliminimit të Portugalisë nga Spanja në Kupën e Botës 2026, ish-sulmuesi i Anglisë u shpreh se prania e Ronaldos në ekip mund të pengojë zhvillimin dhe aktivizimin e sulmuesve të rinj.
“Është një situatë e vështirë, sepse po flasim për një gjigant të futbollit që ka thyer çdo rekord. Më pëlqen përkushtimi i tij, mënyra se si luan dhe dëshira për të vazhduar,” tha Shearer.
“Kur Portugalisë i duhej një gol, mendoj se ai duhej ta hiqte Ronaldon dhe të fuste një lojtar tjetër. Çdo sulmues portugez që vjen do ta ketë të njëjtin problem nëse Ronaldo nuk tërhiqet,” deklaroi ish-kapiteni i Anglisë.
Shearer shtoi se nuk e sheh Ronaldon pjesë të kombëtares edhe në dy vitet e ardhshme, pavarësisht profesionalizmit të tij.
“Ronaldo është 41 vjeç. Nuk do ta nënvlerësoja kurrë, por do të habitesha shumë nëse ai do të vazhdonte të luante për Portugalinë pas dy vitesh.”
Në fund, ai i dha një këshillë të drejtpërdrejtë pesë herë fituesit të Topit të Artë.
“Është gjithmonë më mirë të largohesh nga skena kur njerëzit ende kërkojnë më shumë nga ti. M’u duk se ky turne ishte një hap më shumë seç duhej për të dhe për Portugalinë.”
Shearer foli edhe për të ardhmen e Ronaldos pas përfundimit të karrierës si futbollist, duke parashikuar se ai mund të bëhet trajner.
“Nuk e di cilat janë planet e tij pasi të tërhiqet, por nëse një ditë dëshiron të drejtojë Portugalinë, besoj se do ta marrë atë mundësi. Është vetëm çështje kohe.”



