
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) njoftoi se ka hequr me sukses një predhë artilerie të pashpërthyer 155 milimetra, me peshë afërsisht 45 kilogramë, me origjinë nga Lufta e Parë Botërore.
Predha u gjet në shtratin e lumit Vardar, në zonën e fshatit Pepelishtë, Komuna e Negotinës.
“Për shkak të terrenit të paarritshëm dhe vendndodhjes së municioneve të pashpërthyera në shtratin e lumit Vardar, ndërhyrja u krye në kushte komplekse. Me mbështetje logjistike nga Njësia Territoriale e Zjarrfikësve – NJTZ Negotinë, e cila siguroi një varkë për qasje në vendndodhje, pirotekniku i DMSH-së e nxori predhën në mënyrë të sigurt, pas së cilës ajo u transportua dhe u sigurua deri në shkatërrimin e saj përfundimtar në Poligonin e Stërvitjes Ushtarake ‘Krivolak’”, njoftoi DMSH.
Drejtoria apelon – nëse qytetarët vërejnë pajisje të dyshimta shpërthyese, të mos i prekin ose lëvizin ato, por t’i raportojnë menjëherë në numrin e vetëm pa pagesë të emergjencës 112.



