
Bashkëkryetar i VLEN-it, Bilall Kasami është deklaruar në lidhje me ngjarjen në “Qafë Thanë” me deputetët Bekim Qoku, Adnan Azizi dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të qeverisë, Hasim Murtezani. Kasami tha se të njëjtit kanë pasur pasaportë diplomatike dhe se kanë mundur të kalojnë kufirin, ndërsa akuzoi BDI-në se po keqinformon institucionet në Tiranë.
“Lusim BDI-në që betejën politike ta vazhdojmë këtu, brenda proceseve demokratike, brenda Kushtetutës dhe ligjeve dhe mos ta involvojnë një shtet fqinj, në këtë rast siç është Shqipëria”, tha Kasami, i cili bëri të ditur se eksponentë të VLEN-it nesër do të shkojnë në Tiranë për kafe.
Kasami mohoi se VLEN-i është përfshirë në protestat e organizuara kundër qeverisë së Edi Ramës në Shqipëri.
“VLEN betejën politike e bën në RMV, nuk e bën në Tiranë. Nëse ka pasur individë që në një formë apo tjetër janë identifikuar me VLEN, është e drejtë e tyre qytetare të shprehin qëndrimet e tyre, e kemi sqaruar edhe me ministrin e jashtëm z.Hoxha, që VLEN në asnjë formë nuk ka qenë e përfshirë në atë që po ndodh në Tiranë”, deklaroi Kasami.
Ndryshe, autoritetet zyrtare në Shqipëri gjatë ditës së djeshme njoftuan se zyrtarëve në fjalë nuk u është ndaluar hyrja në Shqipëri, por që personi i katërt që ka qenë me ta, për shkak të problemeve me ligjin, i është ndaluar hyrja, ndërsa zyrtarët e VLEN-it kanë vendosur që mos ta vazhdojnë rrugëtimin.



