
“Unë nuk di asgjë për ju, por po ju shkruaj. Nuk e di as ku jeni, as si jeni. Nuk e di as se cili ka qenë fati juaj. Vetëm një gjë e di, më keni munguar tmerrësisht”.
Këto nuk janë vargje nga një përmbledhje poezish, por janë fjalët që banorja e Srebrenicës, Nermina Lakota, prej vitesh ua shkruan babait të saj Suljo dhe vëllait Velid, të vrarë në gjenocidin e Srebrenicës në korrik të vitit 1995.
Mbetjet e tyre mortore nuk u gjetën kurrë. Për Nerminen, shkrimi është bërë mënyra e vetme për të biseduar me ta.
“Kur të gjithë flenë dhe unë nuk di çfarë të bëj me veten, ulem dhe shkruaj. U shkruaj atyre, shkruaj për Srebrenicën, për nënat, për të gjithë ata që kemi humbur”, thotë Nermina në një bisedë për Anadolu.
Më shumë se tre dekada pas gjenocidit, ajo thotë se koha nuk ka sjellë lehtësim.
“Për mua 11 korriku është çdo ditë. Për 31 vjet, çdo ditë është 11 korrik. Me këtë bie të fle dhe me këtë zgjohem. Thonë se koha shëron. Nuk shëron. Njeriu vetëm mëson të jetojë me këtë”, shprehet ajo.
Babai i saj, Suljo Deliq, ishte 72 vjeç kur u pa për herë të fundit pas rënies së Srebrenicës.
Sipas dëshmive, ai refuzoi të largohej pa djalin e tij Velid. Që atëherë, çdo gjurmë e tyre është humbur.
Velid Deliq ishte 35 vjeç. Ai ishte polic dhe gjyqtar basketbolli. Ai u vra duke u përpjekur të arrinte në territorin e lirë përmes pyllit pas rënies së Srebrenicës.
Edhe pse mbetjet mortore të burrave të tjerë, të vrarë së bashku me të, u gjetën që në vitin 1997, ato të Velidit nuk janë gjetur kurrë.
Nermina thotë se për vite me radhë ka vizituar institucionet, ka biseduar me hetuesit dhe është përpjekur të mësojë se çfarë ka ndodhur me babanë dhe vëllanë e saj.
“Ende shpresoj. Por, diku thellë brenda vetes, kam frikë se ndoshta nuk do t’i gjej kurrë”, thotë ajo.
Për të është veçanërisht e vështirë që nëna e saj nuk arriti të presë ditën për ta varrosur me dinjitet bashkëshortin dhe djalin e saj. Ajo ndërroi jetë në vitin 2016.
Nermina ia kushtoi asaj poezinë “Pritja”, në të cilën shkruan:
“Priti nëna djalin,
në pritje u shndërrua e tëra…
Duke pritur një ditë ra në gjumë,
ende nuk është zgjuar”.
Sot, ajo vazhdon të shkruajë. Çdo letër të re e përfundon pothuajse me të njëjtat fjalë.
“Që të më ktheheni të paktën në ëndrra, që të më largohet kjo dëshirë e zbrazët”.
Ajo thotë se dëshira e saj më e madhe është që një ditë të botojë një përmbledhje me poezitë që gjatë gjithë këtyre viteve ua ka shkruar babait, vëllait dhe të gjitha viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
– Gjenocidi në Srebrenicë
Pas rënies së “zonës së mbrojtur” të OKB-së në Srebrenicë më 11 korrik të vitit 1995, pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë.
Në Qendrën Përkujtimore Srebrenicë-Potoçari deri tani janë varrosur 6.765 viktima të gjenocidit, ndërsa rreth 250 viktima, sipas dëshirës së familjeve të tyre, janë varrosur në varreza lokale.
Për më shumë se 1.000 viktima të gjenocidit ende vazhdon kërkimi.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 vendosi se pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe kryen gjenocid në Srebrenicë në korrik të vitit 1995.
Tribunali i Hagës, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës, si dhe sistemet gjyqësore të Serbisë dhe Kroacisë, deri tani kanë dënuar gjithsej 54 persona për gjenocid dhe krime të tjera lufte me gjithsej 781 vjet burgim dhe pesë dënime me burgim të përjetshëm. Ndër të dënuarit me burgim të përjetshëm janë ish-presidenti i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq dhe komandanti ushtarak i Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mlladiq.



