
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka dalë me një paralajmërim për qytetarët shqiptarë lidhur me përdorimin e vizave turistike për lindje në SHBA dhe marrjen e shërbimeve mjekësore që financohen nga programet publike.
Në njoftimin e saj, ambasada sqaron se disa prindër udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara me vizë turistike me synimin që të sjellin në jetë fëmijën atje, duke shfrytëzuar programin Medicaid për të paguar shpenzimet shëndetësore.
Sipas ambasadës, këto shpenzime rëndojnë mbi taksapaguesit amerikanë, ndërsa personat që përfshihen në një praktikë të tillë rrezikojnë të hasin probleme kur të kërkojnë rinovimin e vizës në të ardhmen.
“Shumë prindër shqiptarë me viza turistike udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara me qëllim për të lindur atje dhe përdorin programin Medicaid për të mbuluar kujdesin mjekësor. Këto shpenzime u kalojnë taksapaguesve amerikanë, dhe ata prindër mund të mos kenë të drejtë t’i rinovojnë vizat e tyre në të ardhmen”, thuhet në mesazhin e Ambasadës Amerikane.
Autoritetet amerikane e kanë theksuar edhe më parë se viza turistike nuk mund të përdoret për qëllime që bien ndesh me kushtet e saj, ndërsa aplikantët duhet të tregojnë saktë arsyen e udhëtimit dhe të zbatojnë rregullat e emigracionit.



