
Mediumi argjentinas Canal26 i ka kushtuar një reportazh të gjatë kapitenit të Zvicrës, Granit Xhakës, në prag të çerekfinales së Kupës së Botës 2026 ndaj Argjentinës, duke e cilësuar atë si liderin e padiskutueshëm të helvetikëve dhe një futbollist, historia personale e të cilit shkon përtej futbollit.
Në artikullin me titull “Granit Xhaka, kapiteni i Zvicrës që do të përballet me Argjentinën: historia e mërgimit, karakterit dhe një rivaliteti të nxehtë me Serbinë”, mediumi ndalet gjerësisht te rrënjët shqiptare të mesfushorit, historia e familjes së tij dhe rruga që e shndërroi në një nga futbollistët më të rëndësishëm të Evropës.
“Pas shiritit të kapitenit të Zvicrës fshihet një histori që përfshin mërgimin, përndjekjen politike, identitetin dhe karakterin e fortë. Xhaka nuk është vetëm një lider në fushë, por edhe simbol i një familjeje që u detyrua të largohej nga vendlindja”, shkruan Canal26.
Artikulli rikujton se babai i Granitit, Ragip Xhaka, kaloi disa vite në burg në ish-Jugosllavi për shkak të aktivitetit të tij politik në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, ndërsa më pas familja emigroi në Zvicër, ku lindi dhe u rrit Graniti. Sipas mediumit argjentinas, pikërisht kjo histori e ka formuar personalitetin e tij luftarak dhe shpirtin garues që e karakterizon në çdo ndeshje.
Canal26 i kushton një pjesë të veçantë edhe rivalitetit të Xhakës me Serbinë, duke kujtuar ndeshjen e Botërorit 2018 dhe festimin me shqiponjën dykrenare, një moment që, sipas mediumit, “e shndërroi mesfushorin në një nga figurat më të komentuara të futbollit botëror”. Po ashtu përmendet edhe përballja e Botërorit 2022, ku tensionet mes dy përfaqësueseve u rikthyen në qendër të vëmendjes.
Në analizën e saj, media argjentinase vlerëson edhe karrierën e Xhakës në futbollin evropian, duke kujtuar sukseset me Borussia Monchengladbach, Arsenalin dhe Bayer Leverkusen, ku u shndërrua në një nga mesfushorët më të kompletuar të kontinentit. Sipas Canal26, eksperienca dhe qetësia e tij janë armët më të forta të Zvicrës në prag të sfidës me Argjentinën.
“Kur Argjentina të zbresë në fushë për të kërkuar një tjetër hap drejt mbrojtjes së titullit botëror, përballë Lionel Messit nuk do të jetë vetëm një ekip i organizuar, por edhe një kapiten me histori, karakter dhe personalitet të jashtëzakonshëm. Granit Xhaka është motori i Zvicrës dhe një nga kundërshtarët që ‘Albiceleste’ duhet ta neutralizojë”, përfundon artikulli i Canal26.



