BotaLajme

Rutte: Trump mbetet i përkushtuar ndaj NATO-s

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cilësoi si të zakonshme deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për aleancën, duke i krahasuar ato me debatet që ndodhin brenda një familjeje.

 

Në një intervistë për BBC gjatë samitit të NATO-s në Ankara, Rutte theksoi se, pavarësisht komenteve të forta të Trump, aleanca mbetet më e fortë se kurrë.

Trump kishte shprehur zhgënjimin që NATO nuk u përfshi në konfliktin mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa përsëriti edhe kritikat ndaj disa aleatëve, duke thënë se Spanja është “një partner i tmerrshëm”.

Ai gjithashtu riktheu pretendimin se SHBA-ja duhet të marrë kontrollin e Groenlandës.

Megjithatë, presidenti amerikan tha se gjatë takimit të liderëve në Ankara kishte pasur unitet dhe “shumë dashuri në atë sallë”.

Rutte tha se këto dallime nuk janë të pazakonta.

“Është pak a shumë si në një familje. Ka familje që nuk zihen kurrë dhe më pas gjithçka shpërthen njëherësh. Edhe në NATO mund të ketë debate, por kjo nuk do të thotë se aleanca nuk është e bashkuar”, u shpreh ai.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s theksoi se është “100 për qind i bindur” se Trump mbetet i përkushtuar ndaj aleancës.

Sipas tij, edhe vetë presidenti amerikan e kupton se SHBA-ja përfiton nga NATO, pasi operacionet ushtarake amerikane nuk do të mund të zhvilloheshin në të njëjtën shkallë, pa bazat ushtarake dhe mbështetjen logjistike të vendeve evropiane.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë strategjike të vendeve veriore të NATO-s, të cilat ndodhen pranë bazave bërthamore ruse në Gadishullin Kola.

Sipas Rutte, prania e aleancës në atë rajon shërben si një sistem paralajmërimi të hershëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndihmon në pengimin e nëndetëseve bërthamore ruse, që të afrohen drejt brigjeve amerikane.

Rutte u ndal edhe te forcimi i mbrojtjes evropiane.

Ai tha se Kanadaja dhe vendet evropiane kanë rritur shpenzimet për mbrojtjen me rreth 250 miliardë dollarë gjatë dy viteve të fundit, duke e cilësuar këtë një arritje të jashtëzakonshme.

Sipas tij, hapi i radhës është rritja e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes, në mënyrë që NATO të jetë në gjendje t’u përgjigjet kërcënimeve në rritje nga Rusia, përfshirë dronët dhe raketat me rreze të gjatë, si dhe të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën.

I pyetur nëse NATO do të ishte gati, në rast se Rusia do të tentonte të sulmonte një vend anëtar, si Estonia, deri në vitin 2030, Rutte u shpreh i sigurt se aleanca është e përgatitur.

“Absolutisht. Jemi gati tani dhe do të jemi gati edhe në vitin 2030, madje në çdo moment. NATO është një aleancë mbrojtëse, nuk do të sulmojë kurrë një vend tjetër, por çdo kundërshtar e di se, nëse na sulmon, ne do të mbrojmë veten”, deklaroi ai.

Related Articles

Back to top button
Close
Close