
Gjykimi për vrasjet mizore serike të tij kishte nisur, por ai i mbante sytë në tavan. Kështu kishte vazhduar edhe kur gjykatësi e pyet për tu deklaruar nëse ndjenë fajësi për veprat që i ngarkoheshin. Përshkak se ai nuk dha asnjë përgjigje dhe bëri që edhe avokati i tij të tërhiqej nga mbrojtja, Gjykata Themelore e Kumanovës, e shtyu seancën e parë, ndaj 25-vjeçarit Trajko Bojkovski nga Staro Nagoriçani, i cili akuzohet për një seri veprash të rënda penale, duke përfshirë pesë vrasje dhe dy tentativa për vrasje.
Sipas akuzës së Prokurorisë, vrasja e parë dyshohet të jetë kryer nga ai mes 5 dhe 6 janarit të vitit 2025 në fshatin Kleçovcë, ku i akuzuari ka vrarë një grua të moshuar në shtëpinë e saj. Në periudhën mes 5 dhe 7 qershorit të vitit 2025, në fshatin Dragomancë, në mënyrë të ngjashme i mori jetën edhe një gruaje tjetër. Ndërsa më 22 korrik të vitit 2025, në fshatin Çellopek, ka tentuar të vrasë një grua, por është arratisur pasi ajo ka filluar të thërrasë djalin e saj. Por, ky rast nuk e ka zmbrapsur që ai ta ndaloj veprimtarinë e tij të errët. Mes datave 17 dhe 18 janar të vitit 2026, në Nagoriçan të Vjetër, ai ka vrarë një grua tjetër, ndërsa mes datave 5 dhe 6 shkurt të vitit 2026, në Çellopek, ka privuar nga jeta edhe një grua tjetër të moshuar. Ndërsa rasti i fundit, sipas Prokurorisë, daton më 9 shkurt të vitit 2026, kur në Çellopek ka tentuar sërish t’i marrë jetën një gruaje, por ka hequr dorë dhe është arratisur pasi ka dëgjuar një zhurmë.
Sipas prokurorisë, përshkak se me vetëdije ka marrë jetën e disa grave, sipas nenit 123, paragrafit 3 të Kodit Penal, ai rrezikohet të denohet me burg nga 10 vite e deri në burg të përjetshëm. Hetimi për të sipas prokurorisë kishte treguar se ai kishte bërë llogaritje kur ka kryer vrasjet dhe se ato i kishte bërë nga urrejtja ndaj grave.



