
Kur politikanët ushqejnë mosbesim, qytetaria duhet të kërkojë ndryshim, jo polarizim
Shkruan: Prof. dr. Fadil Maloku, sociolog dhe profesor
Duke marrë parasysh rrethanat, si dhe proceset e zhvillimet shumë dinamike në jetën tonë sociopolitike kosovare, mendoj se çështja e mungesës së një kulture të qëndrueshme të mirëbesimit politik në Kosovë duhet “pensionohet” shkaku se është duke shkaktuar dëme si në planin e brendshëm ashru edhe ate të jashtëm. Dhe ky “pensionim”, shikuar me dioptërinë e sociologjiaë së zhvillimit, do të duhej t’u adresohet disa faktorëve.
E para, sistemi politik që i referohet Kushtetutës aktuale “ahtisariane” nuk jep shumë garanci, as juridike e as morale, për një “kulturë mirëbesimi dhe bashkëpunimi politik”. Ky sistem normativ është ndërtuar jo për të “instaluar” idenë dhe modelin e “mirëbesimit”, por për të afirmuar dhe implementuar konceptin e superdiskriminimit pozitiv për minoritetet (në veçanti atë serb) dhe për të arsyetuar, kinse, baraspeshën etnike dhe shpalljen e Republikës si entitet multietnik. Ky ishte një gabim kardinal, i cili tani, pas dy dekadash, po riprodhon vetëm situata ngërçi dhe bllokimesh absurde, që rrallë mund të gjenden në historinë e shtetndërtimeve moderne. Dhe, nëse imperativi apo qëllimi i “arkitektëve” të kësaj Kushtetute ishte të frenohej majorizimi etnik, ata, në fakt, bazuar në proceset dhe zhvillimet politike në Kosovë, kanë prodhuar një efekt të kundërt. Serbët, në vend që të akomodoheshin me sistemin e ri demokratik, duke i shërbyer rolit të “Kalit të Trojës”, vetëm sa e rritën distancën sociale dhe ndëretnike. Pra, po vërtetohet se Kosova mund të mbijetojë vetëm si shtet qytetar, e jo “multietnik”, ashtu siç figuron në Preambulën e saj.
E dyta, duhet kuptuar se të gjitha partitë politike të pasluftës dhe pothuajse të gjitha koalicionet e krijuara, kryesisht ndërmjet LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, ishin koalicione të panatyrshme, sepse asnjëherë nuk u bazuan në partneritete strategjike afatgjata, të mbështetura në programe dhe objektiva të përbashkëta, por kryesisht në interesa klanore e grupore të përkohshme. Në publik ato “shiteshin” si “kulturë mirëbesimi” dhe si “vullnet politik” për të afirmuar vlerat e shtetit, demokracisë, pluralizmit dhe “përrallave” të tjera që sot nuk pinë më ujë. Arsyeja është shumë e thjeshtë: të gjithë qytetarët e Republikës e kanë kuptuar se ato ishin farsa për t’i hedhur “hi syve” elektoratit.
Kurse, klimën e mosbesimit që po na “flenë” prej kaq kohësh në Parlament, i cili lirisht mund të hynte edhe në Librin e Rekordeve Guinness për nga jetëgjatësia e ngërçit institucional, nuk e krijojnë dhe as nuk e “prodhojnë” vullnetet apo vendimet partiake, por vetëm “rregullat e lojës”, të cilat vendosen paraprakisht në ligje dhe në Kushtetutë. Kur e them këtë, nuk po pretendoj se po “zbulojmë ujin e ngrohtë”, por vetëm po parafrazojmë përvojat dhe traditat e tranzicionit që shtetet e ish-kampit komunist i kanë përjetuar. Prandaj nuk po them rastësisht se Kosova ka nevojë për një “monolog” të brendshëm partiak e politik, për të analizuar defektet dhe mangësitë e “arkitekturës” aktuale juridike dhe për të parë se çfarë mund të ndryshohet në fazën afatshkurtër, çfarë në atë afatmesme dhe çfarë në atë afatgjatë. Sepse përvoja e kësaj periudhe tranzitore ia ka dëshmuar shoqërisë kosovare një fakt: kur koalicionet nuk arrijnë ta përfundojnë mandatin, krijohet perceptimi se partneritetet politike janë të paqëndrueshme dhe të orientuara kryesisht nga interesat afatshkurtra. Gjithashtu, ky fakt ka bërë që partitë të jenë më të kujdesshme në ndërtimin e aleancave dhe shpesh ta vendosin kalkulimin elektoral përpara ndërtimit të marrëveshjeve programore.
Ndërkaq, ndryshimi që shpresoj se mund të ndodhë, si nocion dinamik, përveç se kërkon një transformim gradual të kulturës politike dhe forcimin e institucioneve demokratike, kërkon edhe një procedurë normuese, ku rregullat që duhet të implementohen në çdo shoqëri kërkojnë instalimin e mekanizmave që ushtrojnë kontrollin, por edhe zbatimin e rregullave dhe normave, të cilat, në rastin e Kosovës, ndonëse thuhet se janë të sanksionuara në letër, nuk zbatohen ose zbatohen vetëm në mënyrë selektive.
Pra, për të arritur këtë standard, që respektohet shumë në demokracitë e avancuara, nevojitet të krijohen tri parakushte: së pari, afirmimi i transparencës, jo si dhunti demokratike, por si obligim moralo-politik; së dyti, inaugurimi publik i llogaridhënies, jo vetëm si normë juridike, por edhe si standard demokratik; dhe, së treti, instalimi i përgjegjësisë, jo vetëm si akt e normë juridike, por edhe si veprim moral e etik.
Natyrisht, realizimi i këtyre objektivave kërkon kohë, vullnet politik dhe angazhim të vazhdueshëm institucional e shoqëror.



