
Kredibiliteti që Maqedonia e Veriut ka ndërtuar si partner në NATO duhet të shfrytëzohet për të debllokuar rrugën evropiane drejt BE‑së, porosit Radmilla Shekerinska, raporton DW, transmeton Zhurnal.
A duhet që kredibiliteti që Maqedonia e Veriut ka ndërtuar si partner i sigurt dhe i përgjegjshëm në NATO të shërbejë për kapërcimin e bllokadave politike dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE? Pyetja shtrohet pas Samitit të NATO‑s në Ankara, prej nga u dërguan mesazhe se Maqedonia e Veriut edhe një herë është konfirmuar si partner i dëshmuar, kredibil dhe i përgjegjshëm, tek i cili Aleanca mund të mbështetet.
Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO‑s, Radmilla Shekerinska, vlerëson se përmbushja e obligimeve brenda Aleancës e forcon pozicionin e shtetit dhe e konfirmon si partner kredibil mes aleatëve. Në intervistën për “4news.mk” gjatë samitit në Ankara, ajo porositi se kredibiliteti që vendi e ka ndërtuar si aleat i sigurt, i përgjegjshëm dhe i barabartë në NATO duhet të shfrytëzohet me mençuri për tejkalimin e sfidave bilaterale dhe për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian.
Shekerinska: Kredibiliteti në NATO është kapital diplomatik
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse vetoja bullgare dhe ngecja në eurointegrime mund të ndikojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve si aleate në NATO, Shekerinska theksoi se Aleanca nuk ndërhyn në çështjet bilaterale mes anëtarëve të saj. Megjithatë, sipas saj, vetë anëtarësimi në NATO i siguron Maqedonisë së Veriut një pozicion të fortë diplomatik.
“Brenda kësaj Aleance të gjithë jemi të barabartë. Kredibiliteti që krijojmë në NATO dhe ndikimi që kemi si anëtare e barabartë gjithmonë hap mundësi për biseda miqësore dhe aleate për çështje të caktuara. Kjo është një përparësi që duhet shfrytëzuar çdo ditë”, deklaroi Shekerinska.
Ajo theksoi se kredibiliteti i një shteti nuk ndërtohet me deklarata, por me përmbushjen e obligimeve të marra dhe me rezultate konkrete.
Përmbushja e obligimeve e forcon pozicionin drejt BE‑së
Sipas Shekerinskës, përmbushja e qëndrueshme e obligimeve brenda NATO‑s dërgon një mesazh të fuqishëm edhe te vendet anëtare të BE‑së, sepse tregon se Maqedonia e Veriut është partner i besueshëm dhe serioz.
“Kur tregojmë se japim rezultate dhe realizojmë atë që kemi premtuar, atëherë edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian na shohin si shtet të pjekur dhe të përgjegjshëm. Ky është kapital që e kemi fituar përmes një procesi të vështirë dhe duhet ta shfrytëzojmë me mençuri në interes të së ardhmes sonë evropiane”, shtoi Shekerinska.
Ajo vlerësoi se kredibiliteti i fituar në NATO mund të jetë argument shtesë në përpjekjet për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit në BE dhe për kapërcimin e pengesave që prej vitesh e ngadalësojnë rrugën evropiane të shtetit.
Siljanovska‑Davkova: Evropa nuk mund të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor
Presidentja Gordana Siljanovska‑Davkova, e cila kryesoi delegacionin maqedonas në samitin e Ankarasë, duke folur për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor në kontekstin e stabilitetit rajonal, tha se parimet e barazisë, solidaritetit dhe kredibilitetit që zbatohen brenda NATO‑s duhet të vlejnë në mënyrë të qëndrueshme edhe në procesin e integrimit evropian. Sipas saj, Evropa e bashkuar nuk mund të jetë e plotë pa integrimin e rajonit, dhe pas më shumë se një dekade ngecje, është koha të zhbllokohet procesi i pranimit të anëtarëve të rinj në BE.
Ajo vlerësoi se kohezioni mes aleatëve mbetet garancia më e fortë për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë, duke shtuar se paqja, dialogu dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare janë parakushte themelore për zhvillim demokratik afatgjatë.
“‘Evropë më e fortë, NATO më i fortë’ e merr kuptimin e plotë vetëm nëse mbështetet në unitet, demokraci dhe paqe. Evropa e zgjeruar dhe e bashkuar është Evropë më e fortë, por më e forta është Evropa që jeton në paqe dhe mbetet e qëndrueshme ndaj parimeve dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar komuniteti euroatlantik”, porositi presidentja.
“Njëzet vjet jemi në labirintin e eurointegrimeve”
Duke iu referuar ngecjes shumëvjeçare në eurointegrime, presidentja theksoi se ekziston një kontrast i dukshëm mes sjelljes së liderëve evropianë brenda NATO‑s dhe qasjes së tyre ndaj zgjerimit të BE‑së.
“Ngandonjëherë habitem si mund të sillen në një mënyrë brenda NATO‑s, të tregojnë mirëkuptim, ndërsa kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian, të njëjtët liderë, të njëjtët presidentë, të njëjtët kryeministra, prej 20 vitesh të na mbajnë në labirint. Koha është që kjo të tejkalohet”, deklaroi Siljanovska‑Davkova pas pjesëmarrjes në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive.
Mesazhet vijnë në të njëjtën kohë kur komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, ishte në vizitë në Maqedoninë e Veriut. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski, ajo porositi se ka vend për shtetin në BE, por se për këtë janë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese. Ajo theksoi se zgjerimi i Unionit nuk bazohet në garanci të dhëna paraprakisht, por ndërtohet mbi besim, obligime, përkushtim, përmbushje dhe punë.
“Besimin mund ta ndërtojmë jo vetëm me fjalë të mira dhe me vepra të mira, por edhe duke shmangur veprime dhe deklarata që mund të rrisin tensionet, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe duke zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore, përmes bashkëpunimit në çështjet e përbashkëta”, porositi Kos.



