LajmeMaqedoni

Qeveria prish kontratën për ndërtimin e hidrocentralit të vogël në lumin Bllateshnicë, i jep fund projektit të kontestuar

Qeveria ka marrë vendim për prishjen e njëanshme të kontratës së koncesionit për ndërtimin e një hidrocentrali të vogël në lumin Bllateshnicë, në fshatin Bllatec të Vinicës. Vendimi konsiderohet një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e interesit publik dhe ruajtjen e pasurive natyrore të këtij rajoni.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i Komunës së Vinicës, Mitko Kostadinovski, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se ky vendim vjen pas një angazhimi institucional për të parandaluar realizimin e projektit.

Sipas tij, në gjysmën e dytë të muajit shkurt, komuna e kishte njoftuar zyrtarisht investitorin se leja e ndërtimit për hidrocentralin kishte pushuar së vlefshmi më 13 gusht 2025, në përputhje me nenin 68 të Ligjit për Ndërtim. Investitori ishte paralajmëruar se çdo aktivitet ndërtimor pas skadimit të lejes do të konsiderohej ndërtim pa leje dhe do të ishte bazë për inicimin e procedurave ligjore.

Vendimi i Qeverisë është publikuar në Gazetën Zyrtare më 3 korrik, ndërsa është miratuar në mbledhjen e mbajtur më 30 qershor. Me këtë vendim është ndërprerë kontrata e koncesionit me kompaninë “Energy Luks DOOEL Koçan”.

Si arsye për prishjen e kontratës, Qeveria ka theksuar se koncesionari nuk e ka nisur prodhimin e energjisë elektrike brenda afatit të paraparë në kontratën për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla.

Lidhur me vendimin, kompania koncesionare deklaroi se ende nuk e ka pranuar vendimin zyrtar dhe se do të reagojë pasi ta shqyrtojë dokumentacionin.

“Ende nuk e kemi marrë vendimin zyrtar. Respektojmë çdo vendim të Qeverisë, ndërsa pasi ta pranojmë zyrtarisht, ekipi ynë juridik do të marrë qëndrim lidhur me hapat e mëtejshëm”, deklaruan nga kompania.

Projekti për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Bllateshnicë ishte kundërshtuar fuqishëm nga banorët e zonës. Gjatë muajve shkurt dhe mars, ata organizuan disa protesta dhe bllokada të rrugës rajonale drejt Berovës, duke kërkuar anulimin e projektit për shkak të shqetësimeve për ndikimin e tij në mjedis dhe burimet ujore.

Me vendimin e fundit të Qeverisë, një prej projekteve më tëdiskutuara infrastrukturore në rajonin e Vinicës merr fund, ndërsa autoritetet lokale e vlerësojnë këtë si fitore për qytetarët dhe mbrojtjen e natyrës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close