LajmeTeknologji

Microsoft do të shkurtojë 4.800 vende pune, do të veçojë 4 studio të videolojërave

Kompania Microsoft do të shkurtojë 4.800 vende pune ose rreth 2,1 për qind të fuqisë së saj punëtore, ndërsa gjiganti amerikan i teknologjisë po ul kostot dhe po ristrukturon biznesin e tij të videolojërave Xbox.

Sipas komunikimeve të brendshme të kompanisë Microsoft të siguruara nga Anadolu, shkurtimet vijnë pasi kompania në muajin prill nisi një program pensionimi vullnetar, i pari i këtij lloji në historinë e kompanisë.

Amy Coleman, drejtoresha e burimeve njerëzore në Microsoft, sipas një mesazhi të brendshëm, u tha punonjësve se teknologjia po “ndërtohet, zbatohet dhe përdoret” më shpejt se në çdo periudhë tjetër gjatë 27 viteve të saj në kompani.

Pjesa më e madhe e shkurtimeve do të prekë divizionin Xbox, ku deri në vitin fiskal 2027 do të eliminohen 3.200 vende pune, përfshirë 1.600 pozita që nga e hëna, shkroi në një email tjetër drejtoresha ekzekutive e divizionit Xbox, Asha Sharma.

Sipas raportimeve, këto shkurtime përfaqësojnë rreth një të pestën e fuqisë punëtore të Xbox.

Sharma tha se divizioni do t’i “rikthehet rritjes në vitin 2027”, duke pranuar se ristrukturimi 1-vjeçar do të krijojë sfida të tjera për punonjësit.

Si pjesë e ristrukturimit, Microsoft do të veçojë katër studio të zhvillimit të videolojërave.

Sipas mesazhit të Sharma-s, Compulsion Games dhe Double Fine Productions, të cilat Microsoft i bleu gjatë viteve 2010, do të bëhen sërish kompani të pavarura, ndërsa Ninja Theory dhe Undead Labs kanë hyrë në marrëveshje për t’iu bashkuar pronarëve të rinj.

Arkane Studios me seli në Francë, e cila u bë pjesë e Microsoft përmes blerjes së ZeniMax Media për 8.1 miliardë dollarë në vitin 2021, po konsultohet me këshillin e saj të punës për opsionet strategjike.

Coleman tha se edhe biznesi komercial i Microsoft-it, i fokusuar në shitjet për klientët, do të preket nga shkurtimet e vendeve të punës.

Kompania njoftoi se më shumë se një e treta e punonjësve që kishin të drejtë pranuan ofertën për pensionim vullnetar, e cila ishte e destinuar për punonjësit në SHBA nga niveli i drejtorit të lartë e poshtë.

Aksionet e Microsoft-it kanë rënë me 19 për qind këtë vit deri në mbylljen e tregut të premten, duke pasur performancë më të dobët se kompanitë e tjera të mëdha të teknologjisë, mes shqetësimeve të investitorëve lidhur me strategjinë e kompanisë për inteligjencën artificiale dhe performancën më të dobët në fusha si licencat e Windows, pajisjet Surface dhe Xbox.

Coleman tha se inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si kryhet puna, por nuk po zëvendëson drejtpërdrejt punonjësit e prekur nga shkurtimet.

Related Articles

Back to top button
Close
Close