
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka bërë të ditur se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka informuar menjëherë misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd si dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian (BE) në Serbi, për arrestimin e kosovarit Osman Selmani në pikëkalimin e Serbisë me Kosovën javën e kaluar.
Në një përgjgije për mediat vendëse nga MPJD thuhet se dhe në komunikimet me partnerët ndërkombëtarë është kërkuar angazhim dhe ushtrim i ndikimit të tyre ndaj autoriteteve serbe për trajtimin e drejtë të rastit dhe lirimin e tij.
“Arrestimet e shtetasve të Kosovës në Serbi, nën pretendimet për kryerje të krimeve të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, janë të ngjashme me rastet e mëparshme që janë kundërshtuar fuqishëm, duke i vlerësuar si veprime arbitrare, pa bazë të qëndrueshme ligjore dhe me prapavijë politike”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
MPJD ka bërë të ditur se mbetet në kontakt me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë dhe u bën thirrje të vazhdueshme që të shtojnë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila, siç theksohet, “vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
Po ashtu thuhet se pas konfirmimit të rastit, Zyra Ndërlidhëse i ka adresuar një kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duke kërkuar informacion të plotë lidhur me arrestimin, arsyet e ndalimit, trajtimin nga autoritetet policore, vendndodhjen e mbajtjes dhe të gjitha të dhënat relevante për rastin.
Selmani u arrestua të mërkurën në pikën kufitare në Mutivodë, nën dyshimin për “krime lufte”. Serbia pretendon se më 14 qershor 1999 në lagjen “Sofalia” në Prishtinë, ai në bashkëpunim me disa anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, privuan nga jeta çiftin Vladimir dhe Persa Stanisavljeviq. Familja e Osman Selmanit thotë se në kohën kur pretendohet të jetë kryer ky krim, e gjithë familja ka qenë në Maqedoninë e Veriut, pasi është dëbuar nga forcat serbe.



