
Marka amerikane e modës luksoze Rodarte, e themeluar nga motrat Kate dhe Laura Mulleavy, ka prezantuar një bashkëpunim me Bratz, si pjesë e festimeve për 25-vjetorin e markës së famshme të kukullave të modës dhe stilit të jetesës. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është ta shtrijë ndikimin e Bratz “përtej rafteve të lodrave, drejt botës së modës, artit dhe kulturës”.
Koleksioni ekskluziv Bratz x Rodarte, me kukulla koleksioni dhe veshje në edicion të kufizuar, do të dalë në shitje më 6 korrik. Bashkëpunimi sjell estetikën romantike, të errët dhe plot fantazi të Rodarte në universin e Bratz, duke transformuar dy nga kukullat më të dashura të markës, Cloe dhe Sasha.
Të dyja kukullat janë ridizenjuar me pamje të frymëzuara nga pasarelat, të bazuara drejtpërdrejt në krijimet e Rodartes.
Kukulla Cloe është veshur me një fustan elegant prej sateni ngjyrë fildishi, me mëngë të fryra, aplikime me lule blu dhe një bisht të gjatë ngjyrë bojëqielli. Pamja plotësohet me një kurorë lulesh dhe një vello, duke krijuar një stil “si në ëndërr”. Veshja është një riprodhim në miniaturë i modelit përmbyllës të koleksionit vjeshtë/dimër 2020 të Rodartes, të prezantuar gjatë Javës së Modës në Nju Jork.
Ndërkohë, kukulla Sasha ndërthur sharmin gotik me elegancën fantastike të modës së lartë. Ajo mban një veshje vezulluese në ngjyrë vjollcë dhe të zezë, me qëndisje metalike, mëngë të fryra, shtresa dantelle dhe krahë zanash, e frymëzuar nga një model i koleksionit vjeshtë/dimër 2023.
Duke komentuar bashkëpunimin, Kate dhe Laura Mulleavy thanë në një deklaratë:”Ne i adhurojmë Bratz dhe jemi shumë të lumtura që krijuam dizajne për ikonat Cloe dhe Sasha. Të shihnim botën fantastike të Rodartes të merrte jetë përmes gjuhës së kukullave Bratz ka qenë një përvojë emocionuese dhe mezi presim që fansat t’i shtojnë ato në koleksionet e tyre.”
Përveç dy kukullave koleksionuese, Rodarte do të prezantojë edhe një koleksion veshjesh në edicion të kufizuar, që synon “ta sjellë në jetë botën e Bratz”. Linja përfshin bluza të ngushta “babytee”, një bluzë me print grafik dhe një bluzë sportive me jakë të rrumbullakët, të zbukuruara me figurat e Sasha dhe Cloe.
JasminLarianHekmat, presidente dhe drejtoreshë krijuese e Bratz, tha:”Bratz ka qenë gjithmonë sinonim i thyerjes së kufijve në modë dhe i frymëzimit të fansave për të shprehur veten pa kompromis.
Partneriteti me Rodarten na lejon ta festojmë modën si një formë arti që mund të vishet dhe të koleksionohet. Së bashku kemi krijuar një koleksion kukullash që bashkon stilin karakteristik artistik të Rodartes me shpirtin e guximshëm të Bratz, duke festuar krijimtarinë, vetëbesimin dhe individualitetin që përcaktojnë të dyja markat.”
Kukullat Bratz x Rodarte, me çmim prej 75 dollarësh, do të dalin ekskluzivisht në Bratz.com më 6 korrik, ndërsa në gusht do të jenë të disponueshme edhe në Selfridges. Koleksioni i veshjeve do të jetë në shitje në faqen zyrtare të Rodartes duke filluar nga 7 korriku.
© SYRI.net





