
Anglia është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi triumfoi me rezultatin 3-2 ndaj bashkëorganizatores Meksikë në një ndeshje spektakolare të zhvilluar në stadiumin legjendar “Azteca”.
“Tre Luanët” goditën fort në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 36-të, Jude Bellingham shfrytëzoi një krosim perfekt të Bukayo Saka për të kaluar Anglinë në avantazh, ndërsa vetëm dy minuta më vonë realizoi dopietën pas asistit të Harry Kane, duke e çuar rezultatin në 2-0.
Edhe pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë. Nico O’Reilly goditi shtyllën për Anglinë, por pak më vonë skuadra e Thomas Tuchel mbeti me 10 lojtarë, pasi Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it.
Megjithatë, pavarësisht inferioritetit numerik, Anglia rivendosi diferencën prej dy golash në minutën e 60-të. Harry Kane u tregua i saktë nga pika e bardhë, pasi Anthony Gordon u pengua në zonë nga Raúl Rangel.
Drama nuk kishte përfunduar. Edhe Meksika fitoi një penallti pas ndërhyrjes së VAR-it dhe Raúl Jiménez realizoi për 3-2, duke i dhënë emocione të forta minutave të fundit.
Vendasit ushtruan presion të vazhdueshëm në kërkim të barazimit, por mbrojtja angleze rezistoi deri në vërshëllimën e fundit, duke siguruar një fitore të vuajtur dhe kualifikimin në mesin e tetë skuadrave më të mira të Botërorit.
Në çerekfinale, Anglia do të përballet me Norvegjinë, ndërsa aventura e Meksikës përfundon në fazën e 1/8-ave, duke i dhënë fund edhe serisë prej 12 ndeshjesh pa humbje.
Rezultati:
Meksikë 2-3 Angli
Quinones 42’, Jimenez (P) 69’ / Bellingham 36’, 38’, Kane (P) 60’



