LajmeRajon

Kurti: SHBA-ja i dha Kosovës mbështetjen më domethënëse për pavarësi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se rruga e Kosovës drejt pavarësisë mori “mbështetjen më domethënëse” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e lidhur historinë e shtetformimit të vendit me parimet mbi të cilat u themelua shteti amerikan.

Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së, u shpreh se lëvizja për vetëvendosje e Kosovës u mbështet në të njëjtat parime të lirisë dhe të drejtave të patjetërsueshme që përmban Deklarata e Pavarësisë Amerikane e 4 korrikut të 1776-ës.

“E drejta e popullit të Kosovës për vetëvendosje, që në fillim të shekullit XX ishte sakrifikuar në lojërat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha, në fund të po atij shekulli dhe fillimit të atij vijues do të merrte mbështetjen më domethënëse pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Kurti.

Ai ka veçuar deklaratën e ish-presidentit amerikan George W. Bush gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 10 qershor 2007, duke e cilësuar atë si një nga momentet kyçe në historinë shtetformuese të Kosovës.

“10 qershori i vitit 2007, kur George W. Bush deklaroi në Tiranë: ‘Më mirë më parë sesa më vonë, duhet të thuash këtu i erdhi fundi, Kosova është e pavarur’, bën pjesë te datat më të rëndësishme të historisë sonë më të re shtetformuese”.

Sipas Kurtit, brenda një harku kohor prej afro një shekulli, shqiptarët morën dy herë mbështetje vendimtare nga SHBA-ja për aspiratat e tyre për vetëvendosje – fillimisht për ruajtjen e shtetit shqiptar pas luftës së parë botërore dhe më pas për pavarësinë e Kosovës.

Kurti uroi popullin amerikan për 250-vjetorin e pavarësisë, duke vlerësuar se parimet e Deklaratës së Pavarësisë mbi lirinë, barazinë dhe të drejtat e patjetërsueshme vazhdojnë të mbeten universale edhe sot.

Related Articles

Back to top button
Close
Close