
Avancimi i menaxhimit kufitar në pikat kufitare me Shqipërinë, përmes kontrolleve më efikase dhe lehtësimit të tregtisë, do të mundësojë përshpejtimin e integrimit rajonal në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye, fokusi i Drejtorive të Doganave do të jetë përmirësimi i procedurave doganore, të cilat do të përcaktohen me Protokollin e ri për zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet dy shteteve për pikat e përbashkëta kufitare.
Delegacionet e të dy drejtorive, të udhëhequra nga drejtori Boban Nikollovski dhe drejtori i Drejtorisë së Doganave të Shqipërisë, Besmir Beja, së bashku me përfaqësues të lartë të OSBE-së, inspektuan mënyrën e funksionimit të pikës kufitare Qafthanë.
Më pas u zhvillua një takim ku të tre palët diskutuan për zbatimin praktik të Marrëveshjes dhe Protokollit përkatës.
Nikollovski theksoi se bashkëpunimi me Shqipërinë është shndërruar në një partneritet të vërtetë, të bazuar në besim të ndërsjellë, komunikim të hapur dhe mirëkuptim të përbashkët sepse menaxhimi efikas i kufijve është thelbësor për zhvillimin ekonomik, lidhjen rajonale dhe sigurinë e të dy shteteve dhe të rajonit. Ai shtoi se nënshkrimi i Protokollit pritet të sjellë uljen e kohës së pritjes, përshpejtimin e qarkullimit të mallrave, rritjen e besimit të komunitetit të biznesit, si dhe lëvizje më të shpejtë të udhëtarëve dhe mallrave.
Drejtori i Drejtorisë së Doganave të Republikës së Shqipërisë, Besmir Beja, deklaroi se takime të tilla dëshmojnë se përparimi është i mundur kur të dyja palët punojnë së bashku.
“Bashkëpunimi mes Drejtorive të Doganave është shembulli më i mirë se si mund të përmirësojmë kushtet si për qytetarët, ashtu edhe për komunitetin e biznesit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Drejtoria e Doganave gëzon një reputacion të mirë si institucion që ka bërë përparimin më të madh.
Me Protokollin do të koordinojmë proceset doganore dhe do të përdorim së bashku burimet që kemi në dispozicion, gjë që do të çojë në kontrolle më të mira dhe lehtësim të tregtisë”, tha Beja.
Udhëheqësi i Programit për Reformat në Polici dhe Sistemin e Drejtësisë Penale në Misionin e OSBE-së në Shkup, Eduard Anderson, tha se është privilegj të jetë pjesë e një ngjarjeje historike, e cila jo vetëm që përmirëson bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, por edhe rrit sigurinë e qytetarëve të të dy vendeve.
Darko Angellov, shef i Departamentit për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë në Misionin e OSBE-së në Tiranë, theksoi se Protokolli është kurorëzimi i suksesshëm i një bashkëpunimi dhjetëvjeçar në menaxhimin kufitar, i cili është zhvilluar vazhdimisht me mbështetjen e misioneve të OSBE-së në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Ai shtoi se është bërë një rrugë e gjatë që nga krijimi i qendrës së parë të përbashkët policore të kontaktit, e cila tani është zgjeruar edhe në fushën e doganës në pikën kufitare Qafthanë



