LajmeRajon

Serbia blen avionë të rinj luftarakë nga Kina, eksperti paralajmëron rrezik për rajonin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi se vendi i tij “do ta rrisë numrin” e raketave kineze CM-400, si dhe do të blejë avionë të rinj ushtarakë.

Ai i bëri këto deklarata gjatë një stërvitjeje ushtarake dhe prezantimit të armatimit të Ushtrisë së Serbisë. Ngjarja u organizua më 28 qershor në aeroportin ushtarak në Batajnicë, afër Beogradit, dhe në poligonin Pasulanske Livade në Serbinë qendrore, me rastin e festës shtetërore dhe fetare të Vidovdanit.

Ish-hetuesi, Agim Rexhepi, në një prononcim  thotë se deklaratat e Vuçiqit për armatim të ri të Serbisë nuk duhen parë si modernizim i zakonshëm, por si arsye për shqetësim dhe vigjilencë, sidomos pas sulmit në Banjskë.

Sipas tij, Serbia po vazhdon militarizimin dhe retorikën kërcënuese, ndaj institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë duhet t’i marrin seriozisht këto zhvillime.

“Deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për shtimin e arsenalit ushtarak, përfshirë raketat kineze CM-400 dhe blerjen e avionëve të rinj luftarakë, nuk mund të shihen si një zhvillim i izoluar teknik apo si modernizim i zakonshëm i ushtrisë. Kur këto deklarata vijnë nga një shtet që ende refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës, që vazhdon retorikën kërcënuese ndaj fqinjëve dhe që nuk ka dhënë përgjegjësi për sulmin terrorist të Banjskës në shtator të vitit 2023, atëherë ato përbëjnë një arsye legjitime për vigjilencë dhe shqetësim.

Kosova nuk udhëhiqet nga frika, por nga analiza e fakteve. Faktet tregojnë se Serbia, në vend që të ndërtojë besim përmes dialogut dhe bashkëpunimit rajonal, vazhdon të investojë në militarizim dhe në retorikë që shpesh synon demonstrimin e forcës. Askush nuk mund të harrojë se në Banjskë pamë një sulm të organizuar mirë, me armatim të rëndë dhe strukturë paramilitare, i cili dëshmoi se kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës nuk janë vetëm teorike, por kanë marrë formë konkrete.

Prandaj, kur pas atij episodi dëgjohen paralajmërime për shtim të raketave dhe avancim të kapaciteteve ushtarake, është krejt normale që institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë t’i analizojnë me seriozitet. Problemi nuk është vetëm posedimi i armëve, por mënyra se si ato shoqërohen me një diskurs politik që shpesh prodhon tensione dhe synon presion ndaj fqinjëve”, thotë ai.

Tutje, Rexhepi vlerëson se bashkëpunimi ushtarak i Serbisë me Kinën sjell një dimension të ri të rrezikut në Ballkan, pasi Serbia po afrohet me aktorë jashtë boshtit euroatlantik.

Ai thekson se kjo krijon shqetësime për stabilitetin rajonal.

“Bashkëpunimi ushtarak i Serbisë me Kinën paraqet gjithashtu një dimension të ri të sigurisë në Ballkan. Në një kohë kur shumica e vendeve të rajonit kanë orientim euroatlantik dhe investojnë në ndërveprueshmëri me NATO-n, Serbia po zgjeron bashkëpunimin ushtarak me aktorë që kanë interesa gjeopolitike të ndryshme nga ato të Bashkimit Evropian dhe Aleancës Atlantike. Kjo krijon shqetësime jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin rajonal.

Megjithatë, Serbia duhet ta kuptojë se koha kur mund të ushtrohej presion ushtarak ndaj Kosovës ka përfunduar. Kosova sot është shtet me institucione funksionale të sigurisë, me një polici profesionale, me një Forcë të Sigurisë që po zhvillohet sipas standardeve të NATO-s dhe, mbi të gjitha, me mbështetjen e palëkundur të aleatëve strategjikë, në radhë të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR”, deklaron ai.

Në përmbyllje, Rexhepi thekson se Qeveria e Kosovës nuk nxit konflikte, por nuk lejon cenimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues, duke vepruar në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, sidomos pas sulmit në Banjskë.

Sipas tij, paqja në rajon nuk arrihet përmes armatimit, por përmes njohjes reciproke dhe respektimit të shteteve. Ai shton se përderisa Serbia fokusohet më shumë në forcimin ushtarak sesa në ndërtimin e besimit politik, do të vazhdojë të prodhojë shqetësime në rajon, ndërsa Kosova do të vazhdojë të forcojë sigurinë në bashkëpunim me aleatët.

“Qeveria e Kosovës ka dëshmuar se nuk provokon konflikte, por nuk toleron as cenimin e rendit kushtetues dhe të sovranitetit të vendit. Reagimi profesional i institucioneve pas sulmit në Banjskë tregoi se shteti është i aftë të mbrojë territorin dhe qytetarët e tij, duke vepruar në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.

Paqja në Ballkan nuk ndërtohet me gara armatimi, por me njohje reciproke, respektim të sovranitetit dhe përgjegjësi për aktet e dhunës. Për aq kohë sa Serbia investon më shumë në demonstrimin e fuqisë ushtarake sesa në ndërtimin e besimit politik, do të vazhdojë të prodhojë shqetësime të arsyeshme për fqinjët e saj.

Kosova do të vazhdojë të investojë në siguri, në koordinim me aleatët e saj, jo për të kërcënuar askënd, por për të garantuar që askush të mos guxojë ta kërcënojë lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Kjo është rruga e një shteti demokratik dhe përgjegjës, në kontrast me retorikën e militarizimit që dëgjohet periodikisht nga Beogradi” .

Related Articles

Back to top button
Close
Close