
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, këtë, mëngjes vizitoi objektin e rikonstruktuar të Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë, në lagjen “Tode Mendoll”, ku është realizuar rikonstruksioni i plotë i katit përdhes të objektit me një sipërfaqe totale prej 250 metrash katrorë. Objekti ka një rol të rëndësishëm në sistemin e mbrojtjes shëndetësore parandaluese dhe shërben si qendër për zbatimin e vaksinimit shkollor për territorin e komunës.
Për realizimin e këtij investimi janë ndarë 5 milionë denarë nga buxheti, me çka janë përmirësuar ndjeshëm kushtet hapësinore për punë dhe për qëndrimin e pacientëve.
Në kuadër të aktiviteteve është rregulluar edhe oborri i objektit, ku janë ndërtuar vende parkimi për nevojat e pacientëve. Për këtë qëllim janë investuar edhe 1 milion denarë shtesë.
“Me këtë investim sigurojmë kushte më të mira për zhvillimin e imunizimit, organizim më efikas të procesit të punës dhe shërbim më cilësor për qytetarët, veçanërisht për fëmijët dhe familjet e tyre. Pikërisht investimet në kujdesin shëndetësor parësor janë investime në shëndetin e gjeneratave të ardhshme. Prioriteti ynë është të krijojmë institucione shëndetësore moderne, funksionale dhe të qasshme në të gjitha komunat, sepse çdo qytetar meriton shërbim shëndetësor cilësor më afër vendbanimit të tij”, deklaroi ministri Aliu.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në përmirësimin e kushteve infrastrukturore në institucionet shëndetësore në mbarë vendin, me qëllim sigurimin e një mbrojtjeje shëndetësore më cilësore, më të qasshme dhe më efikase për të gjithë qytetarët.





