
Kodi Zgjedhor ka shkaktuar përplasje të re politike LSDM paralajmëron bllokadë me amendamente, Levica reagoi për diskriminim, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski tha se opozita po shkakton bllokim të reformave në Kuvend, shkruan DW.
Ndërsa pushteti nxiton të kapë afatin e fundit për përmbushjen e detyrimeve nga agjenda reformuese deri më 30 qershor, opozita paralajmëroi se me 10 mijë amendamente do ta bllokojë miratimin e Kodit Zgjedhor.
LSDM vlerëson se ndryshimet hapin hapësirë për keqpërdorime, ndërsa VMRO‑DPMNE kthen përgjigje se po bllokohet e ardhmja evropiane e vendit. Në debat u përfshi edhe partia Levica, e cila po ashtu paralajmëroi bllokadë për shkak të “diskriminimit politik” në financimin shtetëror të fushatave.
Vërejtjet kryesore të LSDM‑së për zgjidhjet ligjore
LSDM njoftoi se grupi i saj parlamentar po përgatit 10.000 amendamente me të cilat synon të bllokojë miratimin e Kodit Zgjedhor të propozuar. Sipas kryetarit të LSDM‑së, Venko Filipçe, dokumenti përmban zgjidhje që nuk janë evropiane dhe demokratike dhe krijojnë hapësirë për keqpërdorime të procesit zgjedhor.
“Një ligj i tillë nuk guxon të miratohet në këtë Kuvend. Do ta bllokojmë, sepse qytetarët meritojnë proces zgjedhor të ndershëm dhe demokratik…”, deklaroi Filipçe.
Ai theksoi tre pika të diskutueshme:
Votimi elektronik pa mekanizma të mjaftueshëm kontrolli
Ndryshimi i mënyrës së shënimit të fletëvotimit
Kufizimi i paraqitjes së ankesave vetëm nëse janë të evidentuara në procesverbal
“Kjo krijon rrezik për votim masiv dhe të pakontrolluar…”, paralajmëroi Filipçe, duke shtuar se ekziston mundësi për manipulime dhe keqpërdorime zgjedhore.
Edhe Levica paralajmëron bllokadë
Edhe partia Levica njoftoi se do të bllokojë procedurën. Koordinatori Borislav Krmov reagoi ndaj mënyrës së përgatitjes së dokumentit:
“Nuk është e vërtetë se ka pasur çfarëdo konsensusi me Levicën për këtë dokument. Të gjitha janë gënjeshtra. Ne jemi detyruar të pranojmë kush e di çfarë, vetëm që ju të thoni se ka marrëveshje. Korrigjimi i zgjidhjeve jokushtetuese nuk është shërbim ndaj Levicës, por detyrim juaj.”
Krmov theksoi se një nen “magjikisht është shfaqur bashkë me propozimin”, në të cilin listohen dhjetëra shkelje të supozuara verbale, me ç’rast hapet mundësia për vendosjen e censurës gjatë fushatës.
“Nëse themi apo shkruajmë diçka në rrjetet sociale, mund të shpallet shkelje dhe të gjobitet deri në 8.000 euro”, tha Krmov.
Më herët reagoi edhe kryetari i Levicës, Dimitar Apasiev, i cili përsëriti se financimi shtetëror i fushatave duhet të vlejë njësoj për të gjitha subjektet politike ose të mos ekzistojë fare:
“Qëndrimi ynë ishte i qartë – ose të ketë për të gjithë, ose të mos ketë për askënd financim shtetëror! Në vend të financimit shtetëror, mund të ketë vetëm debate televizive. Por mbeten të njëjtat zgjidhje ligjore që edhe OSBE i ka vlerësuar si problematike – për të gjithë ka, vetëm për Levicën jo. Kjo është diskriminim klasik politik!”, deklaroi ai.
Mickoski: Opozita po e bllokon vendin
Kryeministri Hristijan Mickoski reagoi duke thënë se opozita ka mundësi të mbështesë të ardhmen evropiane përmes reformave.
“Bllokojnë ligj që me muaj e kanë negociuar. Ligj në të cilin kemi pranuar gjithçka që kërkuan. E vetmja gjë që kërkuam është që diaspora të mund të votojë elektronikisht që në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Fillimisht e pranuan, ndërsa sot e bllokojnë dhe kërkojnë alibi të zbehta”, tha Mickoski.
Ai i ftoi deputetët të dorëzojnë amendamente konkrete: “Propozoni amendamente për korrigjimin e mënyrës së shënimit dhe paraqitjes së ankesave. Menjëherë do t’i pranojmë. Tërhiqni amendamentet e tjera dhe ta miratojmë Kodin Zgjedhor. Diaspora jonë ka të drejtë të votojë elektronikisht në kohën kur inteligjenca artificiale do të ketë rol kyç në botë.”
Kuvendi tashmë e ka nisur procedurën
Kuvendi, me 59 vota “pro”, tre “kundër” dhe pa të përmbajtur, të hënën pasdite (29 qershor) miratoi nevojën për miratimin e ligjit me procedurë të shkurtuar.
Propozimi është dorëzuar nga grupi i deputetëve: Antonio Milloshoski, Zeqirija Taipi, Daniel Stojçevski, Blerim Bexheti dhe Ivanka Vasilevska. Ndryshimet parashikojnë, ndër të tjera, votim elektronik për diasporën dhe rregullime në financimin shtetëror të partive.
Sa i përket modelit zgjedhor, Milloshoski theksoi se shumica e partive kanë qenë për një njësi zgjedhore, dy për tetë dhe për tre, por për shkak të mungesës së konsensusit, mbetet zgjidhja aktuale me gjashtë njësi zgjedhore. Për votimin e diasporës, propozohet model i ngjashëm me Francën dhe Estoninë – votim elektronik, i sigurt dhe i mbrojtur.


