
Ambasadori i Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ola Sohlström, vlerëson se rruga më e shpejtë e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kalon përmes reformave të vazhdueshme dhe të thella, duke theksuar se ato nuk duhet të perceptohen si detyrime të imponuara nga Brukseli, por si investim për të ardhmen e shtetit.
Në emisionin “Rishtazi” në KohaCast, i pyetur për skepticizmin e një pjese të faktorëve politikë lidhur me çështjet që kanë bllokuar procesin eurointegrues, përfshirë marrëdhëniet me Bullgarinë dhe ndryshimet kushtetuese, ambasadori suedez tha se fokusi duhet të mbetet te reformat. “Nëse do të duhej ta përmblidhja me tre fjalë se çfarë i nevojitet Maqedonisë së Veriut për ta shkurtuar dhe përshpejtuar rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, do të thosha: reforma, reforma dhe reforma”, deklaroi Sohlström.
Ai theksoi se në një botë që ndryshon me ritme të shpejta, reformat nuk mund të konsiderohen si procese të përkohshme apo fakultative, por si domosdoshmëri për funksionimin, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e çdo shteti. Sipas tij, reformat që kërkohen në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, si forcimi i institucioneve, përmirësimi i qeverisjes, standardet e punës, mbrojtja e mjedisit dhe sundimi i ligjit, janë po ato reforma që kërkojnë investitorët dhe komuniteti i biznesit. “Institucionet e forta, të parashikueshme dhe të përgjegjshme janë një reformë e lidhur me BE-në, por njëkohësisht janë edhe faktor kyç për përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e investimeve”, tha ambasadori.
Ai shtoi se kompanitë suedeze dhe nordike vazhdimisht theksojnë rëndësinë e këtyre standardeve kur shqyrtojnë mundësitë për investime në vend. Sohlström nënvizoi se përfitimet nga reformat nuk kufizohen vetëm në procesin e integrimit evropian, por reflektohen drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. “Në vend që reformat të shihen si barrë apo si diçka e imponuar nga Bashkimi Evropian, ato duhet të shihen si investim në të ardhmen e këtij vendi. Nëse njëkohësisht e afrojnë vendin me Bashkimin Evropian dhe e shkurtojnë rrugën drejt anëtarësimit, aq më mirë”, theksoi ambasadori suedez.



