LajmeMaqedoni

Kur tradita kthehet në biznes: Bakllavaja që mban familjet!

Përveç bakllavës, gratë dibrane kontribuojnë në ekonominë familjare edhe përmes përgatitjes së produkteve të tjera tradicionale. Ato përgatisin torta, sheqerpare, kabuni dibrane dhe ëmbëlsira të ndryshme sipas porosisë.

Aroma e bakllavasë së sapopjekur dhe e sheqerpares tradicionale dibrane nuk ndihet vetëm gjatë festave. Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë gra dibrane e kanë shndërruar përgatitjen e ëmbëlsirave dhe gatimeve tradicionale në një burim të qëndrueshëm të ardhurash. Me porosi të shumta gjatë gjithë sezonit veror, ato janë të angazhuara çdo ditë duke përgatitur bakllava, sheqerpare, fli dhe gatime të tjera tradicionale për familje, dasma, fejesa, ahengje dhe për mërgimtarët që kalojnë pushimet në vendlindje.

Rritja e numrit të mërgimtarëve gjatë verës ka ndikuar ndjeshëm në shtimin e kërkesave për gatime dhe ëmbëlsira tradicionale. Shumë prej tyre dëshirojnë të shijojnë bakllavanë autentike dibrane ose ta marrin me vete si dhuratë për të afërmit dhe miqtë në vendet ku jetojnë. Gratë që merren me këtë veprimtari thonë se puna nis herët në mëngjes dhe vazhdon deri në orët e vona të mbrëmjes, në mënyrë që të përmbushin të gjitha porositë në kohë. Përgatitja e këtyre produkteve kërkon përkushtim, durim dhe mjeshtëri, pasi çdo shtresë e petëve dhe çdo detaj ndikojnë në cilësinë përfundimtare të ëmbëlsirës. “Vera është periudha më e ngarkuar për ne. Ka ditë kur nuk arrijmë t’i pranojmë të gjitha porositë, sepse kalendari është i mbushur javë më parë”, shprehet njëra prej grave që prej vitesh merret me përgatitjen e bakllavasë. Ajo shton se me të ardhurat nga kjo veprimtari arrin të mbulojë një pjesë të shpenzimeve për dy fëmijët e saj që janë në studime.

Përveç bakllavasë, gjatë verës pranohen shumë porosi edhe për sheqerpare, fli, petë misri dhe gatime të tjera tradicionale. Pjesa më e madhe e këtyre porosive vjen nga mërgimtarët, të cilët kanë mall për shijet e vendlindjes dhe gatimet që i kujtojnë fëmijërinë dhe familjet e tyre. Drita S., e cila jeton në shtetin amerikan të Nju Xhersit, ka ardhur këto ditë në Dibër së bashku me familjen. “Këtë verë erdha në Dibër me bashkëshortin, djalin, nusen dhe dy nipërit. Nuk kam më mundësi fizike të përgatis vetë gatimet që dikur i bëja çdo ditë, prandaj tani i porosisim. Një ditë porositëm petë misri, një ditë fli, ndërsa kam porositur edhe sheqerpare për t’i gostitur mysafirët që na vizitojnë”, tregon ajo.

Përveç bakllavës, gratë dibrane kontribuojnë në ekonominë familjare edhe përmes përgatitjes së produkteve të tjera tradicionale. Ato përgatisin torta, sheqerpare, kabuni dibrane dhe ëmbëlsira të ndryshme sipas porosisë.

Një kërkesë veçanërisht e madhe ka edhe për petullat tradicionale. Në Dibër, ato janë pjesë e rëndësishme e ceremonive familjare, sidomos gjatë dasmave, por kohët e fundit janë bërë të preferuara edhe për mëngjeset e fundjavës. “Kërkesat janë shumë të mëdha. Shumë restorante në Dibër ofrojnë petulla tradicionale në menytë e tyre të mëngjesit dhe kjo ka shtuar ndjeshëm porositë që marrim”, thotë njëra prej amviseve që merret me këtë veprimtari.

Puna e këtyre grave është shndërruar në një biznes të mirëfilltë familjar, i cili ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e standardit të jetesës për shumë familje dibrane. Kërkesat e shumta gjatë verës për bakllava, sheqerpare, petulla dhe gatime të tjera tradicionale kanë bërë që numri i grave që merren me këtë veprimtari të rritet nga viti në vit. Përveç përfitimeve ekonomike, ato po luajnë një rol të rëndësishëm edhe në ruajtjen dhe transmetimin e traditës kulinare dibrane tek brezat e rinj. Në një kohë kur shumë familje përballen me vështirësi ekonomike, përgatitja e gatimeve dhe ëmbëlsirave tradicionale po shndërrohet në një mundësi reale punësimi dhe një biznes fitimprurës, duke dëshmuar se tradita mund të jetë njëkohësisht edhe burim i rëndësishëm zhvillimi ekonomik. 

Related Articles

Back to top button
Close
Close