BotaLajme

Vapa përfshin Europën/ Mbi 1300 viktima, 150 milionë banorë jetojnë nën ndikimin e të nxehtit ekstrem

Europa po përjeton një nga valët më të forta të të nxehtit të viteve të fundit, me temperatura rekord, viktima, zjarre masive dhe probleme serioze në transport e shërbime.

Autoritetet në disa vende kanë shpallur alarmin, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se pas vapës përvëluese mund të pasojnë stuhi të fuqishme dhe mot ekstrem.

Në Francë, autoritetet shëndetësore raportojnë rreth 1.000 vdekje më shumë se zakonisht vetëm që nga e mërkura e javës së kaluar. Bilanci pritet të rritet pasi të përpunohen të gjitha certifikatat e vdekjes. Morgjet në Paris dhe zonat përreth po i afrohen kapaciteteve maksimale, ndërsa qeveria franceze ka zhvilluar mbledhje të posaçme për të vlerësuar ndikimin e valës së të nxehtit dhe masat që duhen marrë për situata të ngjashme në të ardhmen.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), që prej 21 qershorit janë regjistruar mbi 1.300 vdekje shtesë në Europë të lidhura me temperaturat ekstreme.

Ndërkohë, Çekia, Gjermania dhe Polonia kanë regjistruar temperatura rekord historike. Vapa ka shkaktuar probleme të shumta në transportin hekurudhor, me vonesa, pasagjerë të bllokuar dhe sisteme të kondicionimit që nuk arrijnë të përballojnë temperaturat pranë 40 gradë Celsius.

Gjermania po lufton gjithashtu me zjarre të mëdha pyjore, ndërsa në Berlin policia ka përdorur topa uji për të freskuar turmat në hapësirat publike. Në disa rajone, operacionet për shuarjen e flakëve janë vështirësuar nga prania e municioneve të pashpërthyera që datojnë nga Lufta e Dytë Botërore, duke detyruar edhe evakuimin e banorëve.

Edhe Italia po përgatitet për kulmin e valës së të nxehtit, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 41 gradë Celsius në Luginën e Posë dhe 37–39 gradë në pjesën më të madhe të territorit. Meteorologët parashikojnë se pas kësaj faze do të hyjnë masa ajrore më të freskëta nga Atlantiku, të cilat mund të sjellin stuhi të forta, reshje intensive, breshër dhe erëra të fuqishme, fillimisht në veri dhe më pas në rajonet qendrore e jugore të vendit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close