BotaLajme

Historia e një lufte 78-vjeçare/ A mund ta përfundojë zyrtarisht gjakderdhjen marrëveshja Izrael-Liban?

Pas gati tetë dekadash armiqësi, Izraeli dhe Libani kanë hedhur një hap që mund të shënojë fillimin e fundit të konfliktit më të gjatë të pazgjidhur mes dy vendeve.

Në kuadër të një marrëveshjeje trepalëshe të nënshkruar me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Izraeli dhe Libani kanë deklaruar për herë të parë synimin e përbashkët për t’i dhënë fund zyrtarisht gjendjes së luftës që ekziston që nga viti 1948.

Megjithëse luftimet aktive mes dy vendeve janë ndërprerë prej dekadash përmes armëpushimeve, juridikisht Izraeli dhe Libani kanë mbetur në gjendje lufte që nga shpallja e pavarësisë së Izraelit më 14 maj 1948 dhe ndërhyrja ushtarake e Libanit së bashku me shtetet e tjera arabe.

Marrëveshja e armëpushimit e vitit 1949 ndaloi luftimet, por nuk solli paqe, pasi nuk u arrit kurrë një traktat përfundimtar mes dy vendeve. Një përpjekje e ngjashme në vitin 1983 dështoi për shkak të presionit sirian, zhvillimeve të brendshme politike në Liban dhe forcimit të Hezbollahut.

Dokumenti i ri, i nënshkruar të premten nga Izraeli, Libani dhe SHBA-ja, parashikon që të dyja palët njohin të drejtën e njëra-tjetrës për të jetuar në paqe dhe siguri si shtete sovrane dhe deklarojnë synimin për t’i dhënë fund konfliktit dhe gjendjes së luftës.Megjithatë, zbatimi i marrëveshjes mbetet i kushtëzuar nga çarmatimi i Hezbollahut, vendosja e kontrollit të ushtrisë libaneze në jug të vendit dhe respektimi i angazhimeve nga të dy qeveritë.

Hezbollahu e ka kundërshtuar marrëveshjen, duke e cilësuar atë një “turp”, ndërsa analistët vlerësojnë se ndikimi i Iranit në Liban mbetet një nga pengesat kryesore për zbatimin e saj.

Ndërkohë, mediat izraelite publikuan detaje nga aneksi sekret i sigurisë së marrëveshjes, i cili deri tani ishte mbajtur i klasifikuar me kërkesë të qeverisë libaneze.Sipas dokumentit, Izraeli nuk është i detyruar të tërhiqet nga territoret që kontrollon sipas një afati të caktuar. Çdo tërheqje do të varet nga situata në terren dhe nga vlerësimi i zbatimit të marrëveshjes.

Gjithashtu, marrëveshja parashikon që nuk do të ketë zgjerim të zonave pilot pa miratimin e Izraelit, ndërsa ushtrisë izraelite i garantohet liria për të ndërmarrë operacione kundër kërcënimeve të menjëhershme përgjatë të ashtuquajturës “Vija e Verdhë”, pa u konsideruar se shkel marrëveshjen.

Në Izrael ekziston shqetësimi se Irani mund të ushtrojë presion ndaj Shteteve të Bashkuara për ta kushtëzuar çdo marrëveshje më të gjerë mes Uashingtonit dhe Teheranit me tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga territoret libaneze.

Pavarësisht skepticizmit dhe sfidave të shumta, dokumenti konsiderohet si përpjekja më serioze në më shumë se katër dekada për t’i dhënë fund zyrtarisht konfliktit mes Izraelit dhe Libanit, duke hapur një mundësi të re për normalizimin e marrëdhënieve pas 77 vitesh armiqësi.

Top Channel

Related Articles

Back to top button
Close
Close