BotaLajme

Bilanci i tërmeteve në Venezuelë shkon në 1,450 viktima, momenti kur një burrë nxirret i gjallë nga rrënojat dhe shpërthen në lot

Ekipet e kërkim-shpëtimit, të shoqëruara nga qen të trajnuar posaçërisht, vazhduan dje kërkimin për të mbijetuarit e fundit në rrënojat e dy tërmeteve shumë të forta që goditën Venezuelën të mërkurën e kaluar.

Bilanci i viktimave ka arritur në 1,450 persona, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Lajmi u bë i ditur nga presidenti i Parlamentit të Venezuelës, Jorge Rodriguez, i cili tha se vendi po përballet me fatkeqësinë natyrore më të rëndë në historinë e tij.

Sipas autoriteteve, 774 ndërtesa janë dëmtuar rëndë, prej të cilave 189 janë shembur plotësisht. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 50 mijë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Pavarësisht ditëve që kanë kaluar nga tërmetet, ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin ende të mbijetuar nga rrënojat. Në qytetin bregdetar Caravajeda, një burrë dhe djali i tij adoleshent u shpëtuan të gjallë pothuajse katër ditë pas katastrofës. Ata u nxorën nga rrënojat nga ekipet amerikane dhe franceze të shpëtimit, të rraskapitur, por të gjallë.

Pamjet e një burri tjetër që shpërthen në lot sapo nxirret nga rrënojat janë bërë virale në rrjetet sociale, duke simbolizuar dramën, por edhe shpresën që ende ekziston mes shkatërrimit.

Ndërkohë, banorët në disa zona kanë shprehur zemërim për reagimin e autoriteteve. Në Caravajeda, qytetarët akuzuan ushtrinë për pasivitet, duke thënë se ushtarët nuk morën pjesë në operacionet e shpëtimit, ndërsa vullnetarët punonin me mjete primitive për të kërkuar të mbijetuar.

“Një gjeneral erdhi me rreth 20 ushtarë të armatosur dhe qëndruan ulur. Ata mund të kishin shpëtuar njerëz, por nuk bënë asgjë”, tha shpëtimtari vullnetar Alexander Mijares.

Presidentja në detyrë, Delcy Rodriguez, deklaroi se operacionet e kërkim-shpëtimit do të vazhdojnë, pasi ende po gjenden persona të gjallë nën rrënoja.


“Kemi gjetur njerëz të gjallë dhe për këtë arsye operacionet nuk janë pezulluar. Ende kemi shpresë”, u shpreh ajo, duke njoftuar gjithashtu zgjatjen me një javë të mbylljes së shkollave.

Në zonën e La Huira, pranë epiqendrës së tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5, banori Hector Aguilera vazhdon të kërkojë katër anëtarë të familjes së tij të mbetur nën rrënoja.

“Nuk kishim mjetet për t’i nxjerrë. E dimë se janë të vdekur, por nuk do të largohemi prej këtu”, tha ai.

Edhe në Karakas, qindra vullnetarë vazhdojnë të kërkojnë me duar dhe mjete të thjeshta mes ndërtesave të shembura, ndërsa në lagjen Chacao ekranet elektronike shfaqin fotografitë e personave të zhdukur me shpresën se dikush mund t’i njohë ose t’i gjejë.

Nga Vatikani, Papa Leo XIV shprehu solidaritetin me popullin venezuelian, duke u lutur për viktimat dhe familjet e prekura nga katastrofa.

Sipas autoriteteve, në operacionet e shpëtimit po marrin pjesë mbi 2,700 efektivë nga 24 vende të botës, të mbështetur nga 86 ekipe me qen të specializuar dhe 521 tonë ndihma humanitare.

Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara (UNDP) vlerëson se dëmet ekonomike nga tërmetet arrijnë në rreth 7 miliardë dollarë, ose afro 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Venezuelës.

Mes viktimave janë të paktën 28 shtetas të huaj ose persona me shtetësi të dyfishtë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rëndohet edhe më tej, pasi operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në shumë zona të vendit

Related Articles

Back to top button
Close
Close