KurioziteteLajme

Shkencëtarët zbulojnë se insektet e dallojnë orën falë lagështisë

Shkencëtarët kanë zbuluar se disa insekte nuk mbështeten vetëm te drita dhe temperatura për të kuptuar sa është ora, por edhe te ndryshimet e përditshme të lagështisë në ajër. Studimi, i kryer nga studiues të Universitetit të Sinsinatit, tregon se lagështia mund të shërbejë si një “orë biologjike”, një mekanizëm që nuk ishte vërtetuar më parë te kafshët.

Ekipi, i udhëhequr nga Shyh-Chi Chen në laboratorin e biologut Joshua B. Benoit, vendosi disa lloje insektesh në një dhomë të mbyllur ku alternoheshin 12 orë ajër i thatë dhe 12 orë ajër shumë i lagësht, ndërsa drita, temperatura dhe presioni mbeteshin të pandryshuara.

Rezultatet treguan se insektet krijuan modele të qarta aktiviteti. Disa, si insektet gjakpirëse, brumbujt merimangë dhe disa mushkonja, ishin më aktive gjatë periudhave të thata, ndërsa një specie tjetër preferonte lagështinë.

Kur studiuesit ndaluan ndryshimin e lagështisë dhe e mbajtën atë konstante, shumica e insekteve vazhduan të ndiqnin të njëjtin ritëm. Kjo tregon se ato nuk po reagonin thjesht ndaj lagështisë, por kishin krijuar një orë të brendshme biologjike.

Eksperimentet me mizat e frutave zbuluan se gjenet biologjike dhe receptorët që ndiejnë lagështinë janë të domosdoshëm për këtë mekanizëm. Kur njëri prej tyre çaktivizohej, ritmi prishej.

Përjashtim bënë mushkonjat, të cilat nuk e ruanin ritmin pasi lagështia mbetej e pandryshuar. Studiuesit besojnë se për to lagështia është sinjal për praninë e një gjitari, pasi lidhet me frymëmarrjen dhe djersën, jo një tregues i kohës.

Zbulimi mund t’i ndihmojë shkencëtarët të parashikojnë më mirë sjelljen e insekteve që përhapin sëmundje ose dëmtojnë kulturat bujqësore.

Related Articles

Back to top button
Close
Close