
Xhudistja kosovare, Laura Fazliu zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në Kinë, duke e mbyllur turneun prestigjioz me medalje pas katër fitoreve në kategorinë e saj.
Laura Fazliu ka vazhduar të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare të xhudos, duke fituar medaljen e bronztë në Qingdao Grand Prix 2026, turne që po zhvillohet në Kinë.
Rrugëtimin drejt podiumit, xhudistja kosovare e nisi me fitore ndaj gjermanes Sara-Joy Bauer, të cilën e mposhti me tre Yuko. Në raundin e dytë, Fazliu dominoi ndaj turkes Ozlem Yildiz, duke triumfuar me Ippon dhe siguruar një vend në gjysmëfinale.
Në luftën për finale, Laura u ndal nga japonezja Narumi Tanioka, e cila fitoi me Yuko, duke e dërguar kosovaren në garën për medaljen e bronztë me anë të repesazhit.
Fazliu reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Fillimisht mposhti italianen Thauany David Capanni Dias me Yuko, ndërsa në duelin vendimtar për medaljen e bronztë triumfoi ndaj bjelloruses Yana Makretskaya me Waza-ari, duke siguruar një tjetër medalje të rëndësishme për Kosovën në skenën ndërkombëtare.
Ky sukses konfirmon edhe një herë formën e mirë të Laura Fazliut dhe vazhdimësinë e rezultateve pozitive të xhudos kosovare në garat më prestigjioze botërore.





