LajmeSport

Elanga: Suedia tregoi karakter ndaj Japonisë, tani fokusi te faza nokaut

Sulmuesi i Suedisë, Anthony Elanga, ka vlerësuar paraqitjen e ekipit të tij pas barazimit 1:1 ndaj Japonisë në ndeshjen e fundit të Grupit F në Kupën e Botës 2026, rezultat që i siguroi suedezëve kualifikimin në fazën e 1/16 së finales.

Suedia hyri në këtë përballje pas humbjes së thellë 5:1 nga Holanda, por reagoi duke marrë pikën e nevojshme kundër Japonisë për të vazhduar rrugëtimin në turne.

Elanga, i cili realizoi golin e barazimit me një goditje të fuqishme me të majtën, tha se ishte i kënaqur me golin, ndonëse objektivi i ekipit kishte qenë fitorja.

“U ndjeva mirë. E godita topin pastër dhe menjëherë mendova se do të përfundonte në rrjetë. Jam shumë i lumtur për golin, por në të njëjtën kohë doja që të fitonim. Megjithatë, në fund një pikë ishte e mjaftueshme”, ka thënë Elanga për FIFA-n.

Ai shtoi se tashmë e gjithë vëmendja është te ndeshja e radhës në fazën eliminatore.

“Tani mund të fokusohemi vetëm te ndeshja e ardhshme. Nuk e dimë ende kundër kujt do të luajmë, por çdo ndeshje është e vështirë dhe çdo kundërshtar paraqet sfidë. Ne jemi gati për këtë”, u shpreh ai.

Futbollisti i Suedisë vlerësoi karakterin që tregoi skuadra e tij në një ndeshje ku humbja do t’i eliminonte pothuajse me siguri nga Botërori.

“Suedia u tregua ishte një ekip i guximshëm. Nuk duhet harruar se kemi një skuadër të re dhe luftuam shumë për këtë barazim. Natyrisht donim fitoren, por Japonia është një ekip shumë i mirë. Ka kohë të gjatë pa humbje, është shumë e organizuar dhe luan prej vitesh me të njëjtin grup lojtarësh. Duhet ta respektojmë kundërshtarin”, tha Elanga.

Ai pati fjalë të veçanta edhe për portierin Jacob Widell Zetterstrom, i cili debutoi si titullar në Kupën e Botës dhe zhvilloi një paraqitje të mirë.

“Jam krenar për të gjithë ekipin, veçanërisht për Jacobin që luajti sot. Ai bëri një ndeshje të shkëlqyer dhe na shpëtoi në shumë raste. Jam shumë krenar për të”, deklaroi Elanga.

Suedia e mbylli Grupin F në vendin e dytë dhe siguroi kalimin në fazën eliminatore, ndërsa Japonia avancoi si fituese e grupit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close