
Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mobilizon institucionet shëndetësore për të ndihmuar qytetarët në këto temperatura të larta.
“Temperaturat e larta kërkojnë kujdes dhe veprim të përbashkët. Pikërisht për këtë arsye, sot zhvillova një takim koordinues me përfaqësues të institucioneve shëndetësore, përkatësisht të Gjinekologjisë, Klinikës së Fëmijëve, Institutit të Shëndetit Publik, Shtëpisë së Shëndetit Shkup si dhe Kryqit të Kuq, me qëllim ndërmarrjen e masave për mbrojtjen e qytetarëve gjatë kësaj periudhe”, njoftoi Mexhiti.
Ai shtoi se është diskutuar për angazhimin e ekipeve mjekësore në terren, të cilat do të fillojnë aktivitetin nga Parku i Çairit, Parku Rinia në Fushë topanë, dhe tek Çarshia e Vjetër. Ekipet do të ofrojnë kontrolle bazë shëndetësore, shpërndarje të ujit, këshilla profesionale për mbrojtjen nga temperaturat e larta edhe broshura informuese me rekomandime praktike për qytetarët.
“Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet grupeve më të rrezikuara, veçanërisht fëmijëve, grave shtatzëna, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike, duke ofruar rekomandime për hidratimin, ushqyerjen dhe mbrojtjen gjatë ditëve me temperatura të larta.
Shëndeti i qytetarëve është prioriteti ynë. Prandaj, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore do të vazhdojmë me aktivitete informuese dhe parandaluese, për t’u siguruar që secili qytetar të ketë mbështetjen dhe informacionin e nevojshëm për ta përballuar sa më sigurt këtë periudhë të verës”, njoftoi Mexhiti.



