
Sofja zyrtare ka reaguar pas kërkesës së Shkupit që autoritetet bullgare të kërkojnë falje për publikimin e të dhënave që lidhen me familjen e kryeministrit Hristijan Mickoski. Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë mohon përfshirjen në publikimin e një note diplomatike lidhur me udhëtimin e familjes së Mickoskit në Pamporovë, duke deklaruar se dokumenti nuk lidhet me një kërcënim aktual dhe se bëhet fjalë për çështje nga e kaluara.
“Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka shpërndarë notë diplomatike apo ndonjë korrespondencë tjetër zyrtare që lidhet me vizitën në Bullgari të anëtarëve të familjes së një përfaqësuesi zyrtar të një vendi tjetër. Informacionet që qarkullojnë në publik ditët e fundit kanë të bëjnë me një notë verbale të datës 6 janar 2026 dhe lidhen me ngjarje nga e kaluara e largët. Në këtë moment, ky informacion nuk mund të merret si bazë për përfundime se ekziston një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve të Bullgarisë apo të ndonjë vendi tjetër”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.
Po partia në pushtet VMRO-DPMNE vazhdon të kërkojë përgjegjësi, gjersa akuzon edhe LSDM-në për heshtje ndaj, siç e quajnë, skandalit diplomatik i cili, e që sipas deputetit Brane Petrushevski, përmban të dhëna të ndjeshme për sigurinë e kryeministrit Mickoski dhe familjes së tij.
“Në vend të kërkimit të faljes dhe marrjes së përgjegjësisë nga Sofja zyrtare, publiku mori heshtje. Por edhe më e zëshme është heshtja e të dërguarit të posaçëm bullgar, Venko Filipçes. Personi i cili prej muajsh i relativizon qëndrimet bullgare dhe paraqitet si avokati i tyre më i zëshëm në Maqedoni, sot nuk ka asnjë fjalë apo dënim për këtë skandal diplomatik”, tha Brane Petrushevski – deputet i VMRO-DPMNE-së
Reagimi i Sofjes zyrtare erdhi pasi Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Muçunski, e thirri në bisedë ambasadorin bullgar Angell Aleksandrov Angelov, pasi në mediat bullgare u publikua nota diplomatike e dërguar për udhëtimin e bashkëshortes dhe djalit të Mickoskit në qendrën dimërore Pamporovo në fillim të këtij viti. Ministri Mucunski thotë se jo vetëm që kanë kërkuar sqarim, por edhe hetim të plotë se si ai dokument ka dalë në opinion. Megjithatë, siç thotë ai, deri më tani nuk kanë marrë as sqarim e as kërkimfalje. Kryeministri Mickoski deklaroi se ka njoftuar edhe NATO-n për këtë çështje.



