LajmeMaqedoni

Andonovski: Digjitalizimi e parandalon korrupsionin

Lufta kundër korrupsionit është lart në agjendën e prioriteteve për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian, por ajo nuk është betejë e vetëm një sektori, nevojitet bashkëpunim i të gjitha palëve, porositën pjesëmarrësit në konferencën e sotme “Fuqizimi i integritetit afarist përmes bashkëpunimit publiko – privat” në organizim të Qendrës Edukative M6.

Ambasadori francez në vend, Kristof le Rigoler me porosi se lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme në vetvete dhe nga ajo përfitime ka e gjithë shoqëria.

“Lufta kundër korrupsionit nuk është diçka që kërkohet, por diçka e rëndësishme në vetvete, sepse është e rëndësishme për qytetarët. Në fund të fundit, kjo do të thotë humbje parash që mund të investoheshin në ndërtimin e spitaleve, shkollave, rrugëve e të ngjashme. Në përgjithësi, parandalimi i korrupsionit është i rëndësishëm për të gjithë shoqërinë”, thotë Rigoler.

Lufta kundër korrupsionit nuk është betejë të cilën mund ta udhëheqë vetëm një sektor, është i nevojshëm bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike, organizatave civile dhe botës akademike, porositin nga Fondi Francez Kundër Korrupsionit i cili zbaton projekt kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, Moldavi dhe në Mal të Zi.

“Forcimi i integritetit të biznesit kërkon bashkëpunim midis sektorit publik dhe atij privat dhe këtu institucionet publike luajnë rol kyç sepse ato vendosin rregulla të qarta që lejojnë krijimin e proceseve që do të krijojnë konkurrencë dhe do të forcojnë bashkëpunimin me sektorin privat”, thotë Helena Papa nga Fondi Francez Kundër Korrupsionit.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thonë se lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet në të cilat punojnë. Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski me vlerësim se ka përparim në sferën e digjitalizimit i cili është një nga proceset parandaluese në luftën kundër korrupsionit.

“Digjitalizimi si proces parandalon korrupsionin në nivelin më të ulët të mundshëm duke automatizuar proceset, por gjithashtu mund të zbulojë korrupsionin kur bëhet fjalë për raste të profilit të lartë të lidhjes së regjistrave dhe lidhjes së institucioneve përmes platformës së ndërveprimit. Ne kemi bërë hapa të mëdhenj në periudhën e kaluar – mbi 90 institucione janë tashmë të lidhura me platformën e ndërveprimit, dhe kemi më shumë se 320 shërbime digjitale, që do të thotë se po luftojmë korrupsionin brenda administratës në dy mënyra”, deklaroi Andonovski.

Në luftën kundër korrupsionit faktor i rëndësishëm është edhe sektori privat, vlerësojnë nga Komisioni Antikorrupsion prej ku bënë thirrje që më shpejtë të miratohet strategjia kombëtare pesëvjeçare për parandalimin e korrupsionit.

“Si Komision, ne kemi autoritetin për të promovuar integritetin në sektorin publik, por vetëm integriteti në sektorin publik nuk është i mjaftueshëm, ne duhet të hapim gjithashtu një diskutim me sektorin privat, i cili është në anën tjetër”, tha kryetari i Komisionit për Antikorrupsion, Adem Çuçul.

Related Articles

Back to top button
Close
Close