
Fokusi kryesor i debatit të sotëm për amendamentet ishte vendosur te kuotat etnike, për të cilat deputetët vlerësojnë se janë të nevojshme. Përfaqësimi i drejtë pa kuota etnike është i palogjikshëm, porositën deputetët e partive opozitare shqiptare, të cilët kërkuan edhe tërheqjen e ligjit për ta rregulluar më tej këtë pjesë.
Ka shumë teza për ta rrëzuar idenë se përfaqësimi duhet të jetë etnik. Një nga ato teza që po dëgjoj është se shqiptarët nuk duhet t’i frikësohen profesionalizmit. Kush thotë se ata i frikësohen profesionalizmit? Kuotat etnike duhet të ekzistojnë, sepse përfaqësimi i drejtë dhe adekuat u vendos si parim pikërisht sepse diskriminimi ishte etnik dhe ju nuk dhatë përgjigje për këtë. Prandaj baza e ligjit duhet të jetë kuota etnike”, tha Ziadin Sela
“Urdhëroni, tërhiqeni ligjin, ose ka edhe forma të tjera që i rregullon Rregullorja e Kuvendit. Komponenti i kuotave etnike, ndëshkueshmëria, vertikaliteti – ka katër ose pesë çështje që ne mund t’i parashikojmë në tre nene dhe t’i votojmë së bashku. Ndoshta mund të duket e lehtë nga pozita e zëvendëskryeministrit t’i thuash këto gjëra, e lehtë është. Po ta them në mënyrë kolegjiale, megjithatë barrën do ta mbash ti”, tha Blerim Bexheti
Megjithatë, zëvendëskryeministri Bekim Sali i refuzonte të gjitha amendamentet vetëm shkurtimisht, pa dhënë arsyetim.
“Amendamenti nuk pranohet”, tha Bekim Sali
Në mbrojtje të propozim-ligjit foli Imrlie Saliu Fetai nga VLEN.
“A duhet vallë ne si shqiptarë t’i frikësohemi meritokracisë që e parashikon ligji, a duhet të frikësohemi për të gjithë ata të rinj që janë super të kualifikuar dhe që mund të pozicionohen realisht në vende pune, të cilat deri më tani u janë mohuar? Ky është një nga elementet që i parashikon ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, u shpreh Imerlie Saliu
Edhe debati i sotëm për propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat zhvillohej me vështirësi. Me vështirësi u shqyrtuan vetëm 4 amendamente, ndërsa për shqyrtim kanë mbetur edhe 24 amendamente të tjera.



