LajmeMaqedoniTopLajm

Ahmeti nga Shkupi: BDI mbetet e vendosur në mbrojtjen e të ariturave shqiptare në këtë vend!

Në një atmosferë pozitive, vëllazërore dhe me pjesëmarrje të gjerë të anëtarësisë, sonte u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Butel, ku unanimisht u konstituuan organet dhe strukturat drejtuese të degës, përfshirë Kryesinë e Degës, Këshillin Mbikëqyrës dhe Komitetin e Veteranëve.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, përshëndeti punimet e kuvendit dhe vlerësoi unitetin, pjekurinë politike dhe përkushtimin e strukturave partiake në Butel, duke theksuar se këto vlera kanë qenë themeli i suksesit të BDI-së gjatë 24 viteve të veprimtarisë së saj.

Në fjalimin e tij, Ahmeti u ndal edhe te zhvillimet politike në vend, duke shprehur shqetësimin për, siç tha ai, përpjekjet e vazhdueshme gjatë dy viteve të fundit për të zhbërë arritjet e ndërtuara me mund dhe sakrificë nga qytetarët dhe shqiptarët në vend.

“Po dëshmojmë tendenca që cenojnë të drejtat e fituara, barazinë dhe mekanizmat që garantojnë përfaqësim të drejtë. Ne mbetemi të përkushtuar në mbrojtjen e çdo të arriture të shqiptarëve dhe në avancimin e pozitës së tyre institucionale”, theksoi Ahmeti.

Ai nënvizoi se Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet një forcë e bashkuar, e organizuar dhe e vendosur për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit, barazisë së plotë dhe perspektivës euroatlantike të vendit.

Në përmbyllje, Ahmeti falënderoi anëtarësinë dhe strukturat e degës së Butelit për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se BDI do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të dinjitetit, barazisë dhe interesit të tyre.

Related Articles

Back to top button
Close
Close