LajmeMaqedoniTopLajm

Kuvendi hedh poshtë interpelancën për ministrin Pançe Toshkovski

Kuvendi nuk e pranoi interpelancën për punën e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, të paraqitur nga E Majta, pasi pas përfundimit të debatit votuan 77 deputetë, prej të cilëve 58 ishin kundër, ndërsa 19 “për”.

Deputeti nga E Majta, Amar Mecinoviq, duke përmbledhur interpelancën vlerësoi se “Republika e Maqedonisë së Veriut është një shtet i pasigurt për shkak të Ministrisë së Punëve të Brendshme” dhe se “sistemi i sigurisë për qytetarët nuk funksionon siç duhet”.

“E vërteta është se situata e përgjithshme në Maqedoni nuk është aty ku duhet të jetë. Maqedonia është një shtet i pasigurt për shkak të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila nuk po bën ndryshime strukturore për ta garantuar atë siguri. Maqedonia është një shtet ku aktivitetet normale mund të kenë pasoja më të mëdha, sepse aparati i sigurisë për qytetarët nuk funksionon siç duhet, pasi shihet si aparat për mbushjen me kuadro politike”, tha ai.

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, në replikë theksoi se do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij për t’i përmirësuar gjërat.

“Do të jap gjithçka nga vetja derisa të jem në këtë pozitë, që në çdo segment të paktën një gjë të jetë më e mirë, qytetarët e Maqedonisë e shohin dhe e dinë këtë. Nuk do të gënjej kurrë dhe do të përpiqem të jap maksimumin nga vetja ime, se a do të jetë kjo e mjaftueshme, do ta tregojë koha”, porositi ministri.

Gjatë debatit, opozita pretendoi se ka “skandale, mangësi dhe zero përgjegjësi” dhe kërkoi dorëheqjen, ndërsa Toshkovski dhe deputetët e VMRO-DPMNE u kundërpërgjigjën me “rezultate konkrete, efikasitet të rritur dhe grupe kriminale të shkatërruara”, duke vlerësuar se nuk duhet të kërkohet shkarkimi i një ministri që “përpiqet dhe ka rezultate”.

Sipas Rregullores së Kuvendit, interpelanca zhvillohet sipas një procedure të qartë të përcaktuar për paraqitje dhe votim. Debati për interpelancën zhvillohet në seancë plenare, zgjat një ditë pune dhe duhet të përfundojë më së voni deri në orën 24:00 të po asaj dite, kur bëhet edhe votimi

Related Articles

Back to top button
Close
Close