LajmeMaqedoni

Alili: Ne e kemi nisur procesin për emërtimin e rrugëve dhe do e realizojmë deri në fund

Albion Alili, ka reaguar ndaj debateve të fundit lidhur me emërtimin e rrugëve në qytet, duke akuzuar BDI-në se po përpiqet të krijojë tensione ndëretnike për një çështje që, sipas tij, ka pasur mundësi ta zgjidhë gjatë dy dekadave në pushtet.

Në një konferencë për media, Alili tha se BDI ka qeverisur për 20 vjet dhe ka pasur mundësi të rregullojë çështjen e emrave të rrugëve, shesheve dhe institucioneve të tjera, por nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm.

“Një vendim që e kanë marrë në vitin 2007 nuk e kanë çuar deri në fund, pasi ka qenë e nevojshme të miratohej edhe nga Qeveria. Ata kanë qenë në pushtet gjatë gjithë këtyre viteve dhe nuk kanë punuar aspak në këtë drejtim”, deklaroi Alili.

Ai sqaroi se emrat që janë përdorur deri më tani nga Komuna e Tetovës kanë shërbyer vetëm si mjet komunikimi dhe nuk kanë pasur status zyrtar. Sipas tij, kjo mund të vërtetohet lehtësisht në dokumentet personale të qytetarëve dhe në shkresat zyrtare të institucioneve shtetërore.

Alili bëri të ditur se Komuna e Tetovës tashmë ka formuar një komision për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve, i cili po punon në përputhje me procedurat ligjore.

“Qytetarët mund të jenë të qetë, sepse emrat e rrugëve do të rregullohen ashtu siç e parasheh ligji dhe do të jenë emra konkretë dhe zyrtarë”, theksoi zëdhënësi i Komunës së Tetovës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close