LajmeRajon

Shmanget incidenti i rëndë në Himarë, policia ndalon gomonen pa drejtues, kishte rënë në det gjatë lëvizjes pasi ishte dëmtuar në këmbë

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë Kufitare në Himarë shmangu sot një ngjarje me pasoja të rënda në det.

Pas njoftimit se një gomone po lëvizte në mënyrë të pakontrolluar dhe me shpejtësi, pa persona në bord, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë në zonën e “Kepit të Rigonit”, përballë plazhit të Llamanit.

Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi E. M., 35 vjeç, banues në Orikum, kishte rënë në det gjatë lëvizjes dhe kishte dalë në gjirin e Llamanit, i dëmtuar në këmbë. Ai u transportua në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gomonia, e cila paraqiste rrezik për mjetet e tjera lundruese dhe për pushuesit, u vu nën kontroll nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare. Një punonjës i Njësisë Policore Detare mundi të hidhej në bordin e gomones dhe ta ndalonte atë.

Më pas, mjeti lundrues u tërhoq në PKK Himarë për verifikime të mëtejshme.

Policia Kufitare vijon të jetë e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve. Në këtë kuadër, ajo fton qytetarët që, në rast nevoje, të telefonojnë në numrin 112.

Related Articles

Back to top button
Close
Close