
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, Izraeli ka premtuar sërish se nuk do të tërhiqet nga Libani.
Qeveritë e Izraelit dhe Libanit po përgatiten për një raund të ri bisedimesh në Uashington javën e ardhshme, shkruan cnn.
“Ne do ta rikthejmë sigurinë në veri”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në deklaratën e parë publike pasi prezantimit të tekstit të marrëveshjes SHBA-Iran.
“Kjo kërkon ruajtjen e zonës së sigurisë në jug të Libanit dhe kërkon që ne të mos largohemi prej saj për aq kohë sa kërkesat e sigurisë së Izraelit e kërkojnë këtë”, shtoi ai, shkruan cnn.
Pika e parë e marrëveshjes SHBA-Iran bën thirrje për “ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”. Megjithatë, Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme në jug të Libanit, ku thotë se po godet grupin militant të mbështetur nga Irani, Hezbollah.
Një sulm me dron nga Izraeli vrau tre persona në qytetin Kfar Tebnit të enjten në mëngjes, sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit. Ministria libaneze e Shëndetësisë Publike thotë se sulmet izraelite kanë vrarë më shumë se 3900 persona që nga fillimi i luftës me Iranin.
Ndërkohë, Hezbollahu ka vazhduar të lëshojë raketa dhe dronë kundër forcave izraelite në jug të Libanit, duke vrarë një ushtar izraelit të mërkurën.
Izraeli dhe Libani pritet të zhvillojnë raundin e ardhshëm të bisedimeve diplomatike në Uashington javën e ardhshme. Bisedimet, të planifikuara për periudhën 23-25 qershor, do të përfshijnë ambasadorët e të dy vendeve, si dhe diskutime në nivel ushtarak, sipas një zyrtari izraelit.



