LajmeMaqedoni

Pas denoncimit në polici, kërcënohet me padi këshilltari komunal Huzeir Mustafi, ja reagimi i tij

I nderuar këshilltar Skender Osmani

Po ju drejtohem fillimisht në gjuhën maqedonase, sepse pikërisht në atë gjuhë në adresën time ka arritur një kërkesë përmes avokates suaj, në të cilën kërkoni që unë të kërkoj falje për faktet e thëna publikisht dhe të tërhiqem nga deklaratat e mia të bëra në seancën për pyetje të këshilltarëve më 26.03.2026.

Fatkeqësisht, me këtë veprim ju edhe një herë dëshmoni se e keni keqkuptuar plotësisht rolin dhe përgjegjësinë e një këshilltari komunal. Ndërkohë që qytetarët presin nga përfaqësuesit e tyre të angazhohen për përmirësimin e infrastrukturës, kushteve në shkolla, zhvillimin e kulturës, sportit dhe jetës së përditshme të qytetarëve, ju keni zgjedhur të merreni me presione, padi dhe përpjekje për ta heshtur kritikën.

Akoma më domethënës është fakti se më herët më keni denoncuar edhe në polici me një denoncim aq të pabazë dhe qesharak, saqë shkaktoi më shumë tallje sesa debat serioz.

Në vend që t’u përgjigjeni fakteve dhe argumenteve, keni zgjedhur të vazhdoni të njëjtën rrugë përmes avokatëve dhe procedurave gjyqësore.

Por një gjë duhet ta keni të qartë. Çfarëdo që të bëni dhe çfarëdo veprimi që të ndërmerrni, nuk mund ta fshini dhe as ta mbuloni mashtrimin që u është servirur banorëve të fshatit Çerkez gjatë fushatës zgjedhore.

Në kërkesën tuaj thuhet se brenda 48 orëve duhet t’ju kërkoj falje.
Zoti Osmani, falje nga unë nuk do të merrni. As për 48 orë, as për 48 ditë, e as për 48 muaj. Do ta merrni atë ditë kur banorët e Çerkezit ta shohin gurthemelin e çerdhes së re pranë hekurudhës, pikërisht në vendin dhe në mënyrën që e keni premtuar në video-spotin tuaj zgjedhor.

Të nderuar qytetarë,
Nuk e kisha ndërmend të merresha më me këtë çështje, por dje në adresën time ka arritur një letër nga avokatja e autorizuar e këshilltarit të VLEN-it, Osmani Skender. Arsyeja është e thjeshtë. Me fakte dhe argumente kam demantuar premtimin e tij zgjedhor se Qeveria kishte siguruar mjete për ndërtimin e një çerdheje të re në Çerkez.

Nga respekti për ju, e veçanërisht për banorët e Çerkezit, do ta publikoj edhe një herë videon ku është dhënë ky premtim. Shikojeni me vëmendje dhe vlerësojeni vetë se kush e thotë të vërtetën dhe kush sot përpiqet të largohet nga përgjegjësia për fjalët e veta.
Sa u përket presioneve, kërcënimeve dhe përpjekjeve për frikësim, mesazhi im është i qartë:
E vërteta nuk paditet, e vërteta dëshmohet.
Premtimet nuk mbrohen me avokatë, por realizohen para qytetarëve, e ata që nuk mund t’u përgjigjen fakteve dhe argumenteve, zakonisht përpiqen ta kërkojnë përgjigjen në sallat e gjyqit.

Unë do të vazhdoj të flas me fakte, ndërsa qytetarët le të gjykojnë vetë se kush e thotë të vërtetën dhe kush përpiqet t’i ikë përgjegjësisë për premtimet e veta!

Related Articles

Back to top button
Close
Close