
Shkup – Grupi Punues për reforma në legjislacionin zgjedhor ka mbajtur sot mbledhjen e nëntë, ku ka vazhduar shqyrtimi i propozim-ndryshimeve dhe plotësimeve të Kodit Zgjedhor.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë punës së deritanishme janë trajtuar dhe harmonizuar një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR, si dhe propozimet e paraqitura nga institucionet shtetërore dhe partitë politike.
Pas përfundimit të procesit të harmonizimit dhe finalizimit të propozimeve, ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor do të dorëzohen për procedurë të mëtejshme institucionale.
Nga Grupi Punues theksojnë se mbeten të përkushtuar për një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, me qëllim avancimin e kornizës zgjedhore në përputhje me standardet demokratike dhe rekomandimet ndërkombëtare.
Tetovasot mëson se ndryshimet në Kodin Zgjedhor pritet të jenë ndër temat më të rëndësishme politike në periudhën e ardhshme, duke pasur parasysh përgatitjet për ciklet e ardhshme zgjedhore në vend.





