LajmeMaqedoniTopLajm

Ulje e borxhit dhe realizim stabil i buxhetit në Gostivar

Realizimi i buxhetit të Komunës së Gostivarit për kuartalin e parë të vitit 2026 realizohet në bazë të dinamikës së paraparë. Kjo bazohet në treguesit e të hyrave dhe shpenzimeve për periudhën 1 janar 2026 deri më 31 mars 2026. Kjo është theksuar në njërën nga seancat e fundit të Këshillit të Komunës së Gostivarit ku në rend dite ishte propozim konkluzioni për raportin financiar të tre mujorit të parë.

Para këshilltarëve raportin e prezantoi përfaqësuesi i Sektorit për Financa dhe Buxhet, Jeton Osmani. Sipas të dhënave të prezantuara, të hyrat rrjedhëse në këtë periudhë arrijnë 367 milionë denarë, ndërsa të hyrat kapitale kapin vlerën prej 66.9 milionë denarë. Në anën tjetër, shpenzimet e kësaj periudhe japin vlerën prej 365 milionë denarë ndërsa shpenzimet kapitale arrijnë deri në 60 milionë denarë. Gjithsej në total, sipas Osmanit, realizimi i buxhetit për këtë periudhë arrin 24 për qind, duke reflektuar një ecuri stabile financiare. “Të hyrat rrjedhëse të periudhës nga 1 janari e deri më 31 mars i këtij viti kapin shumën diku prej 367 milionë denarë ose në përqindje kjo është diku 23.5 për qind. Të hyrat kapitale kapin vlerën prej 66 milionë denarë apo 16 për qind e të hyrave të parashikuara për vitin 2026. Shpenzimet rrjedhëse deri më 31 mars kapin shumën prej 365 milionë denarë apo 24 për qind”, tha gjatë seancës së këshillit, përfaqësuesi i Sektorit për Financa dhe Buxhet në Komunën e Gostivarit, Jeton Osmani.

Sa i përket detyrimeve sipas evidencës, deri më 31 mars borxhi i përgjithshëm i Komunës ë Gostivarit arrin deri në 765 milionë denarë, por krahasuar me fundin e vitit të kaluar (2025) është shënuar ulje prej rreth 20 milionë denarëve, njofton Osmani, ndërsa më tej thotë se janë shënuar hapa pozitiv në aspekt të shlyerjes së kredive.

Nga ky sektor njoftuan se 127 milionë denarë u takon detyrimeve ndaj shkollave dhe çerdheve. Raporti i kuartalit të parë i realizimit të buxhetit të Komunës së Gostivarit u miratua pa debat nga ana e këshilltarëve, ndërsa autoritetet e komunës vlerësojnë se menaxhimi financiar zhvillohet në linjë me parashikimet për vitin 2026. Gjatë seancës së 7-të të këshillit të Komunës së Gostivarit u theksua se krahas uljes së borxhit, po ashtu realizohen edhe projekte në infrastrukturë. Ndërkohë, nga Ndërmarrja Publike “Komunalec” u prezantua raporti vjetor për vitin 2025 ku është bërë e ditur se gjatë vitit të kaluar, ndërmarrja ka realizuar të hyra prej 234.9 milionë denarë dhe shpenzime prej 212 milionë denarë, duke përmbyllur vitin me një fitim neto prej 21.9 milionë denarëve. Nga kjo ndërmarrje u theksuan edhe projektet në terren përfshirë kanalizimin në fshatin Debresh dhe Zdunjë dhe vazhdimin e punimeve për realizimin e ujësjellësit në fshatin Forinë. Gjithashtu për shkak të ndërtimit të urës në kuadër të Korridorit 8 është bërë dislokimi i linjës ë vjetër të ujësjellësit. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close