
Pak orë përpara zhvillimit të protestës “Stop padrejtësisë” së punonjësve të kulturës përpara Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit përmes një njoftimi apelon që opinioni të mos keqkuptohet. Protesta e paralajmëruar për të martën në mesditë me parullat “Duart larg nga Marrëveshja kolektive”, “Drejtësi tani”, “E drejta nuk është privilegj”, “Nëse sot heshtim, nesër nuk do të kemi çfarë të mbrojmë”…., zhvillohet për shkak të procedurës së nisur nga Gjykata Kushtetuese që lidhet me Marrëveshjen Kolektive në Kulturë mund të ndikojë në të drejtat e fituara dhe në të gjithë negociatat kolektive. “Kjo është një faza e dytë në të cilën do të vlerësohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar mbi aktet e kontestuara”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata Kushtetuese më tej thekson se reagimet në publik dhe shqetësimet e shprehura nga përfaqësuesit e komunitetit kulturor po ndiqen me vëmendje të veçantë dhe ka siguruar se respekton dhe mbron të drejtën e shprehjes publike dhe protestës si një vlerë themelore demokratike.
“Gjykata Kushtetuese i bën thirrje publikut që të ndjekë me kujdes dhe objektivitet informacionin që lidhet me këtë rast dhe se informacioni i saktë është i rëndësishëm në mënyrë që të mos krijojë përshtypjen se Gjykata ka marrë tashmë një vendim ose se rasti ka të bëjë me vlerësimin e punës, rëndësisë ose të ardhurave të artistëve dhe punonjësve të kulturës. Gjykata vepron ekskluzivisht brenda kornizës së kompetencave të saj…, vlerëson përputhshmërinë e rregulloreve me Kushtetutën, në këtë kuptim, objekt shqyrtimi nuk është puna, rëndësia ose kontributi i artistëve dhe punonjësve të kulturës, as statusi ose të ardhurat e tyre”, thuhet në deklaratë. Kushtetuesja ka nxituar të deklarohet përpara fillimit të protestës, duke marrë shtysë nga reagimet në publik kohët e fundit dhe zhgënjimin që Gjykata Kushtetuese nisi procedurat në lidhje me Marrëveshjen Kolektive për Kulturën, pas kërkesës së Qeverisë për vlerësimin e kushtetuetshëmrisë së saj.
Punonjësit dhe artistët e kulturës disa ditë më parë protestuan para Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit si revoltë ndaj procedurës së nisur nga Gjykata Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Marrëveshjes Kolektive për Kulturën, si edhe për llogaritjeve e ndryshuar të pagave që sipas tyre janë ulur me 6 për qind gjatë dy viteve të fundit.



