
Me 22 vota për, një të përmbajtur dhe asnjë kundër, Këshilli Komunal i Tetovës miratoi Propozim-Vendimin për përcaktimin e trasesë dhe harmonizimin e profilit të infrastrukturës lineare në një pjesë të bulevardit “Bllagoja Toska”, me çka filluan procedurat për vazhdimin e rrugës nga Shkolla ‘Tekstile” deri te rrethrotullimi te ‘Mema’, raporton Portalb.mk.
Bëhet fjalë për segmentin nga kryqëzimi me bulevardin “Ilinden” deri te kryqëzimi me rrugën “K.R. Drnc”, nga km 0+000 deri në km 0+300.
Ky vendim është pjesë e procedurave për realizimin e projektit për hapjen e bulevardit, që do të nisë nga zona e njohur si “Tekstilja” dhe do të shtrihet deri te kryqëzimi me bulevardin ‘Ilinden’ apo deri e pika e njohur si ‘Mema’.
Udhëheqësi i Sektorit për Urbanizëm në Komunën e Tetovës, Rilind Selmani, sqaroi se aktualisht janë në proces të përgatitjes së dokumentacionit për lejen e ndërtimit.
Sipas tij, projekti i plotë parashikon gjatësi prej rreth 650 metrash, por për 300 metra është e domosdoshme harmonizimi i Planit Detal Urbanistik me Planin Gjeneral Urbanistik.
“Për këtë na nevojitet si procedurë administrative, vendim i Këshillit Komunal”, tha Selmani.
Këshilltari nga ‘Më Mirë për Tetovën’, Agron Arifi kërkoi që projekti të realizohet sa më shpejt.
“Shpresoj se sa më shpejtë do e përfundoni këtë çështjen e bulevardit dhe deri në fund të mandatit shpresoj se do bëni përpjekje maksimale që të depërtohet ajo pjesë dhe të mund qytetarët më lehtë ta kalojnë atë bulevard”, tha Arifi.
Ndërkohë, këshilltari Berat Murati nga BDI ngriti çështjen e pronave private dhe nevojës për eksproprijim.
“A ka prona private, a ka nevojë për eksproprijim? Nuk keni problem, dikush nuk ju bën problem?”, pyeti Murati.
Selmani bëri të ditur se pas sigurimit të lejes së ndërtimit do të nisë menjëherë procedura e vlerësimit dhe eksproprijimit të pronave të prekura.
Ai shtoi se një pjesë e qytetarëve tashmë janë konsultuar dhe janë pajtuar me projektin, ndërsa në rast të kundërshtimeve, procedura do të vazhdojë në gjykatë, në përputhje me Ligjin për eksproprijim (shpronësim).
“Edhe me bërë problem ajo procedurë vazhdon me proces gjyqësor, në bazë të Ligjit për eksproprijim, ata të cilët ankohen vazhdohet me procedurë gjyqësore ku edhe aty do të ankohet vetëm për pjesën e çmimit, ku ka të drejtë pala, në bazë të ligjit është e planifikuar që vetëm 10% të vlerësimit total mund të rritet çmimi i asaj pjesës”, tha Selmani.
Portalb.mk ka kërkuar detaje dhe sqarime shtesë për këtë projekt dhe afatet kohore, por nga Komuna e Tetovës nuk u përgjigjën.
Me hapjen e këtij segmenti, përfundon ndërtimi i të gjithë bulevardit “Bllagoja Toska” i cili konsiderohet si një ndër rrugët kryesore për përmirësimin e qarkullimit në Tetovë.
Në ndërkohë, bulevardi është duke përfunduar në pjesën tjetër të qytetit, nga pjesa te Kazerma në lidhjen me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, ku ditëve në vijim pritet të lëshohet edhe zyrtarisht në përdorim.



